Kosova me tetë yje në Lojërat Olimpike

Prishtinë | 20 Kor 2016 | 12:18 | Nga

Komiteti Olimpik i ka prezantuar tetë emrat e sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën për herë të parë në Lojërat Olimpike. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Musa Hajdari, Vijona Kryeziu, Lum Zhaveli, Rita Zeqiri, Urata Rama e Qëndrim Guri janë tetë olimpistët që do ta bëjnë historinë. Institucioni më i lartë sportiv pret prezantim dinjitoz, duke pretenduar edhe medalje

Komiteti Olimpik i Kosovës i ka zbuluar të martën emrat e tetë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në pjesëmarrjen e saj të parë dhe historike në Lojërat Olimpike, shkruan Zëri.

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Musa Hajdari, Vijona Kryeziu, Lum Zhaveli, Rita Zeqiri, Urata Rama e Qëndrim Guri, janë tetë olimpistët që do të jenë pjesë e ngjarjes më të madhe sportive në botë, e cila do të mbahet në Rio de Janeiro të Brazilit, nga 5 deri më 21 gusht.

Majlinda (xhudo 52 kg) e Nora (xhudo 57 kg) e kanë siguruar pjesëmarrjen në Olimpiadë me norma, Hajdari (vrapim 800m) e Kryeziu (vrapim 400m) kanë marrë ftesa nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës, njëjtë si Zhaveli (50m stil i lirë) e Zeqiri (100m stili shpinë) nga Federata Ndërkombëtare e Notit, kurse Rama (shenjëtari, 10m pushkë ajrore) e Guri (çiklizëm, disiplina rrugore) janë përzgjedhur nga komisioni trepalësh, po ashtu me ftesa.

Sidoqoftë, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, e ka vlerësuar këtë numër si mjaft të kënaqshëm, duke besuar se olimpistët do ta bëjnë vendin e tyre krenar me paraqitjet e dinjitetshme në Olimpiadë.

“Tashmë dihen tetë sportistët nga Kosova që do të marrin pjesë në Rio. Është historike pasi po marrim pjesë për herë të parë. Është ndjenjë jashtëzakonisht e mirë, pasi sportistët tanë do të jetë të barabartë me sportistët tjerë të botës. Me këtë rast do të realizohet ëndrra e sportistëve. Ne e kemi dërguar listën e garuesve tanë në natën e së hënës, kur edhe mbyllej afati”, ka thënë Hasani në konferencë për shtyp.

“Është një numër solid, i tejkalon të gjitha parashikimet. 50 për qind e vendeve pjesëmarrëse nuk e kanë këtë numër sportistësh në Rio. Ne po ashtu kemi dy norma olimpike dhe 50 për qind e vendeve pjesëmarrje në Olimpiadë nuk e kanë arritur një gjë të tillë. Për këtë ndihemi krenarë”, vazhdoi ai.

Kosova, për medalje

Fakti se Kosova i ka dy norma olimpike dhe prihet nga Majlinda Kelmendi, i shtyn drejtuesit e sportit kosovar të besojnë se vendi ynë mund ta sigurojë medaljen e parë në histori të vetë.

“E kemi të drejtën të synojmë medalje olimpike, madje edhe të artën, pasi kemi garues mjaft cilësorë. E në përgjithësi synojmë të kemi paraqitje të dinjitetshme në Rio”, ka shtuar kreu i sportit kosovar.

Krahas tetë sportistëve në Fshatin Olimpik do të qëndrojnë edhe pesë trajnerët e tyre, Driton Kuka, Zijadin Kryeziu, Enver Hajredini, Ali Pllana e Avni Nuha, si dhe shefi i delegacionit, Eugen Saraçini, press attache, Jeton Rudari dhe Naim Ademi, fizioterapeut. Në total, 16 persona.

Ndërsa atyre do t’ju bashkohen edhe anëtarët tjerë të delegacionit, që do të jenë mysafirë në Rio.

Shefi i delegacionit, Saraçini, ka njoftuar se sportistët kosovarë do të nisen në Rio që nga 28 korriku e tutje, varësisht prej garave se kur i kanë.

Ndërkohë, KOK-u ka njoftuar se është duke e përgatitur edhe sloganin e Kosovës, i cili me gjasë do të jetë “Kosova në Rio”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme