Kosova thërret lojtarët për 180 minutat e fundit drejt historisë

Prishtinë | 10 Nën 2018 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Me një përforcim të madh në portë dhe me kthimin e disa lojtarëve me peshë në repartet e tjera, Kosova do të nisë të hënën përgatitjet për dy ndeshjet e muajit nëntor. Kosova më 17 nëntor luan në udhëtim ndaj Maltës, ndërsa më 20 nëntor e pret Azerbajxhanin në Prishtinë.

Janë këto ndeshjet e fundit të vitit, por edhe të fundit në kuadër të Grupit 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Rrjedhimisht janë ndeshjet më të rëndësishme, ndërsa synim i Kosovës është të kompletojë suksesin e parë të madh të saj, shkruan sot Koha Ditore.

Kosova aktualisht prin në grup me tetë pikë nga katër ndeshje, ndërsa Azerbajxhani është i dyti me gjashtë pikë. Kosova synon të fitojë grupin në mënyrë që të hapë rrugën për kualifikim në evropianin e vitit 2020. Vendi i parë në grup ia siguron plejofin e Ligës D, që zhvillohet në mars të vitit 2020, e në të cilin Kosova do të paraqitej vetëm nëse në evropian nuk kualifikohet përmes kualifikimeve të rregullta që zhvillohen vitin tjetër.

Në të vërtetë, përmes kualifikimeve të rregullta ka fare pak gjasa që Kosova të sigurojë Evropianin, kështu që Liga e Kombeve llogaritet rasti i madh i saj. Në plejof luajnë fituesit e katër grupeve të Ligës D dhe fituesi shkon në evropian. Por Kosova së pari duhet të fitojë dy ndeshjet e këtij muaji ndaj kundërshtarëve tashmë të njohur. Me Azebajxhanin, Kosova luajti pa gola në Baku më 7 shtator.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme