Kosova U-19 në konkurrencën e femrave i nis me fitore kualifikimet për ‘Euro 2022’

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Ekipi i Kosovës U-19 në konkurrencën e femrave, e ka nisur në mënyrën më të mirë fushatën kualifikuese për ‘Euro 2022’ në Poreç të Kroacisë.

Dardanet e reja të drejtuara nga Kushtrim Munishi, të martën në mesditë, kanë shënuar fitore në përballje me Letoninë, me rezultat 3-0, në kuadër Grupit 5 të Ligës B.

Kosova e dominoi plotësisht lojën dhe arriti të krijojë epërsi të hershme me golat e Leunora Xhemajt (2’) dhe Erona Bajramit (13’).

Ndërkohë, edhe në vazhdim të ndeshjes, Dardanet U-19 arritën që pa ndonjë ngarkesë të madhe ta menaxhojnë mirë lojën dhe të shënojnë edhe golin e tretë nëpërmjet Fortesa Berishës (70’).

Ndeshjen e radhës Kosova e luan me Lihtenshtajnin, 22 tetor, derisa ndeshjen më të vështirë pritet ta ketë më 25 tetor kundër Kroacisë.

Të ngjashme