Kosova vazhdon përgatitjet për ndeshjen vendimtare

Prishtinë | 12 Tet 2019 | 09:35 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i është kthyer menjëherë të premten përgatitjeve për ndeshjen vendimtare ndaj Malit të Zi. Kosova të enjten në “Fadil Vokrri” e mposhti Gjibraltarin me shifrat 1:0, në miqësore.

Në stadiumin e njëjtë të premten mbrëma është zhvilluar stërvitja e radhës në prag të takimit me shumë peshë. Kanë stërvitur lojtarët kryesorë, që ishin lënë të lirë në miqësoren ndaj Gjibraltarit, ndërsa nuk u paraqitën në stërvitje vetëm lojtarët që kompletuan ndeshjen të enjten: Samir Ujkani, Florent Hadërgjonaj, Ibrahim Dresheviq, Anel Rashkaj e Atdhe Nuhiu. Arbenit Xhemajli e Lirim Kastrati të premten janë bashkuar me Shpresat e Kosovës për ndeshjen me Shqipërinë, shkruan sot Koha Ditore.

Kosovës i duhet patjetër fitorja të hënën nga ora 20:45 për të mbetur në garë për kualifikim në “Euro 2020”.

“Ndoshta është prej ndeshjeve më të rëndësishme që do t’i luajmë ne. Është test shumë i madh, do të jetë vështirë, Mali i Zi është ekip i fortë. Por jemi në shtëpi, kemi tifozët me vete, kemi mbështetjen dhe do duhet të shkojmë për fitore. Është si një finale për ne. Duhet ta shikojmë si finale, ta fitojmë këtë e më pas na pret edhe një finale, por tani duhet të koncentrohemi te kjo ndeshje”, ka thënë në konferencën për shtyp mesfushori Valon Berisha. Ai pret ndeshje të vështirë dhe shumë fizike.

“Mali i Zi nuk ka çka të humbë dhe vjen këtu për të bërë lojë të mirë. Për këtë do të jetë vështirë dhe duhet të jemi të përgatitur. Nëse mendojmë që do të jetë lehtë, do të jetë gabim shumë i madh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme