Kosovarët që kthyen shkëlqimin me “tërheqje taktike”

Prishtinë | 05 Jan 2019 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Tre gola e një asistim është bilanci i Fatos Beqirajt në katër ndeshjet e fundit me skuadrën Maccabi Netanya. 30-vjeçari Beqiraj në dhjetor gjeti shkëlqimin, që prej mesit të shtatorit po e kërkonte në Izrael.

Sulmuesi kosovar, që paraqitet për Malin e Zi, në Izrael është transferuar pikërisht për të gjetur shkëlqimin, përkatësisht për t’iu kthyer golave që i munguan në klubin paraprak, shkruan sot Koha Ditore.

Bëri hap prapa duke kaluar në kampionat më të dobët, por me rëndësi për të është që po e kthen formën. Dhe kështu do të ketë mundësi ta mbajë vendin në përfaqësuesen e Malit të Zi, me të cilën Kosova do të takohet në eliminatoret për “Euro 2020”.

Kalimi në një ligë më të dobët, përkatësisht në vende me futboll jo shumë të zhvilluar, është rrugë e ndjekur nga plot lojtarë shqiptarë. Jo të gjithë e kanë fatin, por edhe potencialin për të ecur vazhdimisht para në karrierë, në një klub e ligë gjithnjë e më të mirë. Pas krizave në karrierë, ka plot raste kur lojtarët kalojnë në liga inferiore dhe bëhen yj në to.

Sulmuesi korpulent, Beqiraj, i është përmbajtur kësaj praktike. Ai është vlerësuar lart në moshë të re dhe ka pasur periudhë të suksesshme te Dinamo e Zagrebit. I parashikohej e ardhme e ndritur, transferim i madh, por që nuk ndodhi asnjëherë. Pas Dinamo Zagrebit luajti në Kinë, Rusi e Bjellorusi, ndërsa gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar i kaloi në Belgjikë, te Mecheleni. Por u paraqit vetëm në katër ndeshje pa ia dalë të realizojë gol.

Dhe pas një periudhe jo të lavdishme, vendosi për Izrael. Në Izrael kaloi me vonesë, në mes të shtatorit kur stinori kishte nisur dhe fillimisht nuk bindi. Por ndryshe ishte në shtator. Bilanci i tij prej pesë golave në 12 ndeshje vlerësohet i kënaqshëm. Ai është kërkuar edhe nga Maccabi Tel Aviv, klub më i madh ky, por ka vendosur për Netanyan.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme