Kosovës i mungojnë shumë lojtarë, i kthehen Pnishi e Aliti

Prishtinë | 25 Sht 2017 | 10:17 | Nga

Është rritur lista e lojtarëve që do t’i mungojnë përfaqësueses së Kosovës në futboll në dy ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për botërorin e vitit të ardhshëm. Me gjithë mungesat e shumta, nuk do të ketë lojtarë të rinj në përfaqësuesen e Kosovës.

Do të kthehen tre lojtarë që munguan në ndeshjet e shtatorit, por emra krejtësisht të rinj nuk do të ketë. Këtë e ka bërë të ditur të dielën përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, shkruan sot “Koha Ditore”. Për Bunjakin ndeshjet me Ukrainën dhe Islandën do të jenë të fundit në krye të përfaqësueses.

Kosova më 6 tetor e pret Ukrainën në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndërsa më 9 tetor luan me Islandën në Reykjavik. Është e fundit në Grupin I të eliminatoreve me një pikë nga tetë ndeshje.

Pasi barazoi 1:1 me Finlandën në hapje, humbi shtatë ndeshjet të tjera dhe e ka të pamundur të shmangë pozitën e fundit në grup.

Ndeshjet me Kosovën, për Ukrainën e Islandën janë me shumë peshë. Të dy përfaqësueset, së bashku me Kroacinë e Turqinë, janë në garë për kualifikim në botëror..

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme