Krasniqi i bindur se në tentimin e tretë do ta fitojë titullin e kampionit të botës

Prishtinë | 23 Sht 2020 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Rastin që e ka pritur gjatë, Haxhi Krasniqi më në fund e ka fituar. Ai do të boksojë për herë të tretë për titull të kampionit të botës në boksin profesionist.

Junikasi 33-vjeçar, më 10 tetor në “GETEC Arena” në Magdeburg të Gjermanisë do të përballet me gjermanin Dominic Boesel. Meçi është i vlefshëm për titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA (World Boxing Association), në kategorinë gjysmë të rëndë. Po ashtu, vlen për titullin e botës në versionin IBO (International Boxing Organization). IBO nuk llogaritet në mesin e katër versioneve të forta të boksit profesionist, por është menjëherë pas tyre.

Titullin e përkohshëm të botës në WBA e mban Boesel. Por atë synon t’ia rrëmbejë Krasniqi, i vetmi boksier shqiptar që ka boksuar dy herë për titull të botës. Luan Krasniqi, Shpend Abazi, Edis Tatli, Shefat Isufi, kanë boksuar nga një herë për tituj të botës, por pa ia dalë t’i fitojnë ata. Edhe Haxhi Krasniqi, i njohur në boks si Robin Krasniqi, ka dështuar në luftërat për tituj të botës. Ai mbetet i vendosur të bëhet shqiptari i parë me titull të botës në boksin profesionist.

Krasniqi ka bilanc prej 50 fitoresh e gjashtë humbjesh në boksin profesionist. Dy humbje i kishte pësuar në fillim të karrierës e katër të tjera në luftëra të mëdha. Në vitin 2013 humbi nga Nathan Cleverly në meç për titull të botës në versionin WBO në kategorinë gjysmë të rëndë. Më pas humbi edhe nga Juergen Braehmer në vitin 2015, po për titull të botës në versionin WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë. Në vitin 2017 e mposhti Arthur Abraham në luftë eliminatore për titull të botës, në kategorinë super të mesme, ku u zhvendos me shpresë për të fituar titullin e botës. Më pas e mbajti një periudhë titullin e vërtetë të Evropës në kategorinë super të mesme, por e humbi befasisht nga Stefan Haertel më 11 maj të vitit të kaluar. Prej atëherë nuk ka boksuar deri më 22 gusht të këtij viti. Ai u rikthye në kategorinë gjysmë të rëndë, ndërsa e mposhti Stanislav Eschnerin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme