Kreu FFK-së: Klubet serbe nuk mund të luajnë në territorin e Kosovës

Prishtinë | 28 Kor 2019 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës duket se është e vendosur për të mos lejuar më organizimin e ndeshjeve në Kosovë nga Federata e Futbollit e Serbisë.

I ashtuquajturi klub Trepça nga Mitrovica, në pjesën e veriut, ka bërë të ditur se sivjet do të garojë në Ligën Serbe, në grupin Perëndimi (niveli i tretë i futbollit në Serbi), por presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka theksuar se do të bëjnë gjithçka për të mos lejuar që ndeshjet e një kampionati nga vendi fqinj të zhvillohen në Kosovë.

“Ne si federatë jemi të hapur për të gjitha klubet serbe nga Kosova. Nëse bëhet fjalë për ndonjë Trepçë nga territori i Serbisë atëherë ajo mund të luajë në Ligën Serbe. Këtu ajo nuk do të mund të luajë, jam i sigurt për këtë dhe ne nuk do të lejojmë diçka të tillë.

Unë i kam bërë të gjitha hapat e nevojshëm, e kam njoftuar policinë, kam reaguar edhe te UEFA dhe jam i sigurt se as ajo nuk do të lejojë diçka të tillë. Disa herë kam biseduar edhe me përfaqësuesit e futbollit serb në kuadër të UEFA-s dhe sigurisht se do të gjendet ndonjë zgjedhje”, ka thënë Ademi për RTK 2.

Presidenti i FFK-së ka folur edhe për gjuhen e urrejtjes dhe sloganet e paraqitura në ndeshjen e fundit në Europa League që kampioni ynë e zhvilloi në Bratislavë kundër Slovanit.

“Edhe këtë herë kishim përzierje të politikës dhe sportit, gjë e cila mendoj se nuk është mirë të ndodhë. Mikpritja për ekipin nga klubi nikoqir ishte e mirë, por nga tribunat kishte fyerje dhe slogane të ndryshme, kurse stadiumi nuk është vend për këto gjëra. Jam i bindur se UEFA do të reagojë, ngase klubi nga Bratislava edhe para ndeshjes ishte paralajmëruar për ndodhitë e tilla”, ka shtuar Ademi.

Të ngjashme