Kroos, kundër uljes së pagave të futbollistëve: Donacion i çuar kot

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos, ka dalë kundër idesë së uljes së pagave të futbollistëve gjatë krizës së koronavirusit, duke thënë se lojtarët duhet që në vend të kësaj të kenë mundësinë t’i dhurojnë ato para për kauza të zgjedhjes së tyre.

Përderisa rivalët e Real Madridit, Barcelona dhe Atletico Madridi, e kanë konfirmuar se lojtarët e tyre kanë pranuar t’i ulin pagat për 70 për qind, Los Blancos nuk e kanë bërë të ditur një plan të ngjashëm ende.

Kroos ka thënë se ai pajtohet me qëndrimin e klubit të tij, duke thënë se lojtarët mund të ndihmojnë më shumë duke dhuruar para në kauza të ndryshme sesa të shkojnë ato para te klubet.

“Ulja e pagave bën që një donacion të çohet kot, apo të çohet në klub. Duhet të ketë një opsion më të mirë pë të gjithë. Unë mendoj se është më mirë ta marrësh pagën e plotë dhe pastaj të bësh diçka me të”, ka thënë Kroos.

“Nuk mendoj se është e nevojshme të ulen pagat. Gjë tjetër është se çfarë do të bëj unë me paratë që i marr. Ne duhet të gjithë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar aty ku ka nevojë për ndihmë. Dhe ka shumë vende ku ka nevojë për ndihmë tani”.

Të njëjtin qëndrim me Kroosin e kanë mbajtur futbollistët e Premierligës, të cilët përmes një deklaratë thanë se ulja e pagave e dëmton qeverinë britanike shkaku i taksave dhe se lojtarët duhet të merren vesh për të ndihmuar duke i dhuruar pagat e jo duke u mbetur pagat e tyre në klube. /Gazeta Express/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme