Kryetari i Crvena Zvezdës implikon Ramush Haradinajn në finale të ABA Ligës

Prishtinë | 14 Pri 2018 | 15:28 | Nga

Crvena Zvezda ka humbur nga Buducnosti në ndeshjen e tretë finale të ABA Ligës dhe ekipi nga Podgorica tashmë i duhet edhe një fitore për të qenë kampion i ligës rajonale të basketbollit.

Ndeshja e katërt finale është paraparë të zhvillohet sonte më Podgoricë, pas dy ndeshjeve të para që janë zhvilluar në Beograd, por Kryetari i Crvena Zvezdës, Nebojsa Covic  ka paralajmëruar se ky ekip mund të mos paraqitet fare në ndeshje sonte, meqë pretendon se gjyqtarët e kanë dëmtuar rëndë.

Buducnosti, ku luan kosovari i natyralizuar Justin Doellman, mbrëmë ka fituar 78:77, kurse në deklaratë ne tij për Blic, Covic jo vetëm që është shprehur i mllefosur ndaj referimit, por ka arritur që të implikojë në mënyrë të çuditshme edhe Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn, të cilit ia ka dhënë edhe një epitet të çuditshëm.

“Të premten ka ndodhur një hajni dhe padrejtësi e madhe ndaj neve. Neve na kanë dëmtuar gjyqtarët shumë. Pjesa e parë ka qenë në rregull, por në çerekun e tertë gjërat kanë ndryshuar. Nuk e di nëse është bërë presion ndaj gjyqtarëve (Dragan) Bokan dhe të tjerët rreth tij e di se bëjnë këso gjërash”, u shpreh Covic duke e politizuar më pas çështjen dhe duke thënë se “nëse Bokan dëshiron të bëhet Kryetar i Komunës së Podgoricës ka mundur të ma thotë ndryshe dhe jo të elektrizojë situatën në terren. Jemi njerëz të të njëjtit komb dhe kemi prodhuar kaq shumë tensione. Kjo është e turpshme. Tash po dëgjoj se edhe ai albatrosi nga Kosova, Ramush Haradinaj, e përkrah Bokanin. Në çka e kemi sjellë sportin kështu”.

Dragan Bokan është Kryetar i Klubit të Basketbollit Buducnost dhe një prej biznismenëve të suksesshëm të Malit të Zi. Deklaratat e Covicit bëhen vetëm një ditë para zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, në të cilat Milo Djukanovic do të kandidojë sërish dhe vetëm disa ditë para zgjedhjeve lokale në Podgoricë, ku Dragan Bokan është një nga kandidatët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme