Kryetari i FFK-së qetëson “dardanët”: Challandes vazhdon me Kosovën

Prishtinë | 11 Pri 2020 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Gazeta e madhe zvicerane, Blick, ka shkruar se e ardhmja e Bernard Challandesit në postin e përzgjedhësit të Kosovës nuk është e sigurt.

Por kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë për Koha.net se nuk ka vend për brengosje. Ademi e vlerëson punë të kryer vazhdimin e kontratës me përzgjedhësin me të cilin Kosova ka shënuar ngritjen e madhe.

Challandes ka kontratë deri në muajin qershor. Ai ka 11 fitore e pesë barazime në 20 ndeshje si përzgjedhës i Kosovës. Selektor i Kosovës ishte emëruar më 2 mars të vitit 2018.

Zvicerani 68-vjeçar vlerësohet lartë për punën që e bënë si selektor. Kosova është dy fitore larg Evropianit. Me Challandesin përzgjedhës, Kosova ka arritur fitore të mëdha, ndërsa për ecurinë e saj kanë shkruar mediat më të mëdha ndërkombëtare. Zvicerani respektohet e çmohet edhe nga tifozët e shumë të Kosovës.

“Nëse Bernard Challandes është shëndosh e mirë, ai do të vazhdoj me Kosovën. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë e besoj shumë që edhe Bernard Challandes ka disponim të njëjtë”, ka thënë Agim Ademi

Challandes gjithnjë ka shprehur respekt për Kosovën. Nuk ka dhënë shenja që nuk është i interesuar të vazhdojë me Kosovën.

“Sllogani ynë është: vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi. Kjo vlenë edhe sa i takon së ardhmes së Challandesit”, ka thënë Ademi.

Të ngjashme