Kryeziu nuk e vazhdon kontratën me Luzernin

Prishtinë | 29 Maj 2018 | 11:13 | Nga

Mesfushori i përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu, nuk ka pranuar ta rinovojë kontratën me Luzernin.

Futbollisti 25-vjeçar nuk ka rënë dakord me klubin Luzern për vazhdim të bashkëpunimit.

Kryeziu pjesë e Luzernit është që nga viti 2004. Debutimin në ekipin e parë e bëri në sezonin 2010\2011. Është larguar nga Luzerni vetëm për një periudhë të shkurtër, në Vaduz, por u kthye shpejt për t’u bërë lojtar kyç në ekip.

Kryeziu obligohej të nënshkruante kontratë të re me Luzernin nëse do të kishte arritur një numër të caktuar të ndeshjeve. Por, ky numër nuk u arrit dhe Kryeziu është i lirë të vendosë për të ardhmen e tij.

“Klubi nuk ka qenë në gjendje të bjerë dakord për një kontratë të re pavarësisht se pati bisedime të gjata dhe intensive. Luzerni dëshiron ta falënderojë Hekuran Kryeziun për përkushtimin dhe i dëshiron gjitha të mirat në të ardhmen”, shkruan në njoftimin e publikuar të hënën nga klubi zviceran.

Këtë edicion Kryeziu ka dhënë tri asistime në 28 ndeshje.

Për Kryeziun interesim ka shprehur Zuerichu dhe St. Galleni. Interesim ka edhe nga Lazio e Atalanta.

Vetë lojtari për Kohën Ditore më herët ka thënë se do të vendosë për skuadrën që mendon se do ta ketë hapësirën e duhur për të luajtur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme