“Kthehet” Coronavirusi në futbollin kosovar, preket përfaqësuesja U-21

Prishtinë | 13 Tet 2020 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll ka marrë një goditje të rëndë një ditë para ndeshjes kundër Andorrës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.

Te Përfaqësuesja Shpresa e Kosovës kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirus katër futbollistë dhe një anëtar i stafit. Të infektuar janë: kapiteni Eris Abedini, portieri Florian Smakiqi, si dhe Kreshnik Hajrizi dhe Lirim Kastrati. Të gjithë futbollistët janë pa simptoma dhe me shëndet të mirë.

“Jam shumë mirë dhe nuk kam kurrfarë shqetësimi. Shpresoj që të kalojë kjo situatë”, ka thënë Kastrati të hënën mbrëma për KOHËN.

Ndonëse futbollistët dolën pozitivë në testin për COVID-19, Përfaqësuesja U-21 e Kosovës e ka zhvilluar të hënën mbrëma stërvitjen në “Fadil Vokrri”, ku të martën nga ora 19:00 do ta luajë ndeshjen e tetë në këtë cikël kualifikues.

Me gjithë mungesat, te Shpresat e Kosovës janë shprehur optimistë për t’iu kthyer fitoreve.

Është menaxheri i “Dardanëve” të rinj, Zgjim Sojeva, që pas stërvitjes ka theksuar se kanë paraqitur kërkesë tek autoritetet vendimmarrëse të vendit që t’u lejohet zhvillimi i ndeshjes.

“Jemi testuar në laborator privat që ka marrë licencën nga ‘Synlab’, laborator i licencuar nga UEFA. Pas testimit që e kemi bërë të dielën në mëngjes, të hënën i kemi marrë rezultatet dhe kemi njoftim se prej 23 futbollistëve, katër futbollistë dhe ekonomi nga stafi ynë kanë dalë pozitivë. Të gjithë janë izoluar, ndërsa për vendimet e tjera ne nuk mund të vendosim. Vendimet i marrin autoritetet tona, derisa sa na përket neve, ne jemi të gatshëm për lojë”, ka thënë Sojeva.

Ndeshja nuk është në rrezik

Sojeva insiston se vendimin përfundimtar nëse kjo ndeshje do të luhet e marrin autoritetet e vendit.

“Ne i kemi njoftuar të gjitha autoritetet e vendit për rezultatet, pasi laboratori po ashtu është i obliguar t’i paraqesë rezultatet në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. I kemi informuar edhe ministritë përkatëse dhe presim vendimin e tyre, por gjithçka që është kërkuar nga ne ne jemi në rregull. Pra, ne kemi shprehur gatishmërinë për ta luajtur ndeshjen”, është shprehur Sojeva.

Kosova nuk ka rregulla strikte dhe nëse ndonjë person del pozitiv, atëherë detyrohet të karantinohet për 14 ditë, kurse UEFA e ka qartësuar se ndeshja mund të zhvillohet nëse 13 apo më shumë futbollistë janë të gatshëm për lojë, në mesin e tyre një portier.

“Kontaktet duhet të konsiderojnë ushtrimin e vetizolimit për 14 ditë në shtëpi ose të ndjekin strategjitë kombëtare për karantinë në objektet e përcaktuara”, shkruan në manual për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme