Kthimi i kapitenit në vendin ku çmohet

Prishtinë | 05 Jan 2019 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Fitues absolut është vlerësuar Mërgim Mavraj në klubin e tij të ri. Mbrojtësi kosovar do të vazhdojë karrierën në Gjermani, vendin ku u lind e u rrit, e po ashtu në vendin ku ka kaluar thuajse tërë karrierën si lojtar.

Mavraj është figurë e njohur e futbollit në Gjermani. Ndër vite për të është raportuar shumë, kryesisht për të mirë, transmeton Koha Ditore.

Kapiteni aktual i kombëtares së Shqipërisë në futboll, të enjten mbrëma ka kompletuar kalimin tek Ingolstadti, skuadrën që në pranverë e pret garë shumë e vështirë për të siguruar mbijetesën në Bundesliga 2. Ingolstadti aktualisht është i fundit në kategorinë e dytë gjermane me 10 pikë pas 18 ndeshjeve.

Dhe në garën për ekzistencë, tek Ingolstadti llogarisin shumë në stabilitetin që Mavraj 32-vjeçar do të sjellë në vijën e mbrojtjes. Ai pritet të jetë lider i mbrojtjes në edicionin pranveror.

“Mërgimi sjell me vete atributet që na duhen për të qëndruar në ligë, pra për të arritur synimin e këtij edicioni. Ai është një fitues absolut, e njeh futbollin gjerman mirë dhe është luftëtar i jashtëzakonshëm”, ka thënë drejtori menaxhues i Ingolstadtit, Harald Gaertner.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme