Kthimi i papritur i ikonës së basketbollit në përfaqësuese

Prishtinë | 13 Shk 2019 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse 38-vjeçar, Edmond Azemi vazhdon të jetë prej lojtarëve kryesorë vendorë në basketbollin kosovar. Niveli që po shfaq, ka bërë që fundori Azemi të kthehet në përfaqësuesen e Kosovës në basketboll, shkruan sot Koha Ditore.

Jo për të gjithë kthimi i Azemit është i pritur. Lojtari, që çmohet për kontributin që ka dhënë për shumë e shumë vite dhe që njihet si sportist i vërtetë, i kishte dhënë lamtumirën përfaqësueses së Kosovës më 3 korrik të vitit 2017. Në atë kohë ai ishte kapiten i Kosovës, por kishte vendosur të “pensionohej” për arsye familjare. “Pensionimi” doli të jetë i përkohshëm.

Azemi, që po vazhdon të japë kontribut për skuadrën Z Mobile Prishtina, është përfshirë në përfaqësuese për ndeshjen ndaj Rumanisë, që luhet më vonë këtë muaj.

Por Azemi nuk pritet të luajë vetëm ndaj Rumanisë, më 24 shkurt në Prishtinë. Ai pret të jetë në përfaqësuese edhe në muajin gusht, kur Kosova i luan ndeshjet e raundit të tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”. Ndeshja ndaj Rumanisë është e fundit e raundit të dytë të parakualifikimeve, raund që nuk ishte i suksesshëm për nga rezultatet. Kosova, që ndër të tjera eksperimentoi me disa të rinj, ka humbur tri ndeshjet e deritashme, dy nga Maqedonia e një nga Rumania. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme