Ku do të luajë Cristiano Ronaldo në sezonin e ardhshëm

Prishtinë | 11 Kor 2022 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Cristiano Ronaldo ua ka bërë të qartë drejtuesve të Manchester United se dëshiron të largohet nga “Old Trafford” gjatë kësaj vere.

Tashmë dihet arsyeja: fakti që “Djajtë e Kuq” nuk do të luajnë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Por, cila do të jetë e ardhmja e yllit portugez?

37 vjeçari lidhet me një kalim të mundshëm në Chelsea, pra e ardhmja e tij mund të vazhdojë të jetë në Premierligë, shkruan “Gazeta Express”.

Por, mediat britanike shkruajnë se trajneri Thomas Tuchel nuk është bindur ende për ta marrë portugezin, pasi nuk i përshtatet filozofisë së lojës së tij edhe pse drejtuesit e klubit po insistojnë që ta transferojnë “CR7”.

Ndërkohë, interesim për pesë herë fituesin e Topit të Artë ka shfaqur edhe Bayern Munichu, edhe pse ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Real Madridit dhe i Juventusit nuk duket fort i bindur për të shkuar në Bundesligë.

Gjithashtu, qe një kohë kampionin evropian me Portugalinë e pëlqen edhe Paris Saint-Germaini, i cili synon t’i bëjë bashkë në një ekip Ronaldon me Messin.

Pra, në ditët në vazhdim do të dihet përfundimisht e ardhmja e Ronaldos pasi ai dëshiron të ketë sa më shpejtë qartësi rreth së ardhmes, për t’iu bashkuar klubit të ri në përgatitjet parasezonale.

Ronaldo ishte rikthyer në “Teatrin e Ëndrrave” vitin e kaluar, por ekipi e pati një sezon dështues dhe mbeti jashtë Championsit, shkruan “Gazeta Express”.

Lojtari, nga ana e tij, nuk mund ta paramendojë veten pa luajtur në garën më prestigjioze të futbollit evropian dhe dëshiron të transferohet në një klub që luan në Champions. 

Të ngjashme