Kuka: I dhuruam kombit shqiptar të gjithë titujt e mundshëm në xhudo

Prishtinë | 08 Gus 2016 | 14:09 | Nga

Xhudistja pejane, Majlinda Kelmendi, dje u stolis me medaljen e artë në Olimpiadën Rio2016, duke mposhtur kundërshtaren e saj italiane në finale.

Në një intervistë për televizionin publik, trajneri i saj, Driton Kuka, është shprehur tejet i kënaqur me këtë rezultat, duke thënë se me këtë medalje, ka përfunduar gjithçka.

“Për mua si trajner tashmë i kam arritur të gjitha ato që i kam pasur si synim. I kemi dhuruar kombit shqiptar të gjithë titujt e mundshëm në xhudo. Me të vërtetë për mua kënaqësia më e madhe është që kur të kthehemi në Kosovë i gjithë kombi shqiptar do të jetë i gëzuar. Është kënaqësi që jemi bërë lajm në të gjitha mediat botërore për pozitivet, sepse shihet që shteti ynë i ri po ballafaqohet me shumë vështirësi dhe mendoj se ne sporti po ecim pak më përpara sa i përket asaj që e kemi obligim të gjithë që të punojmë e të kontribuojmë për vendin. Kjo është mënyra më e mirë e prezantimit të shtetit tonë”, ka theksuar Kuka.

Tutje Toni ka pranuar se kësaj radhe e kishte të vështirë t’i kontrollojë emocionet gjatë dueleve të Majlindës dhe kjo për arsyen se të fitosh medalje të artë olimpike nga një shtet i vogël është diçka e jashtëzakonshme.

“Me siguri e dini teorikisht, por praktikisht jo, se shtetet e fuqishme investojnë me qindra miliona për të fituar një medalje të artë olimpike. Këtë ua them me sinqeritetin më të madh. Dihet Rusia çfarë superfuqie botërore është dhe sa investon në sportin e xhudos dhe me sa vështirësi fitohen medaljet e arta olimpike. Me të vërtetë kjo storia e Kosovës në sportin e xhudos, por edhe në mbarë sportin botëror është diçka e jashtëzakonshme, sepse u pa edhe sot kush e dorëzoi medaljen e artë olimpike, njeriu i parë i sportit botëror (Thomas Bach, kryetari i KON-it, v.j.), mandej kryetari i Federatës Botërore të Xhudos (Marius Vizer, v.j.), d.m.th storia e Majlindës, storia e Kosovës ka bërë që gjithë krerët e sportit botëror të jenë aty, ta vëzhgojnë nga afër luftën gjysmëfinale dhe finale dhe gjithë kjo ka bërë që emocionet edhe tek unë të jenë më të mëdha se zakonisht”, ka shtuar Kuka.

Trajneri Kuka ka treguar edhe arsyen e ndërrimit të gardërobës së tij në gjysmëfinale dhe finale.

“I kam disa rroba që mendoj se më sjellin fat dhe pikërisht në gjysmëfinale dhe finale i kam veshur ato të cilat zakonisht i barti në meçe të rëndësishme dhe u pa edhe këtë herë se më sollën fat. Pa dyshim se këto rroba do të gjejnë vend në muzeun që do të ndërtojmë pranë palestrës tonë sportive në Pejë. A do t’i bartë këto rroba edhe në duelet e Norës për fat? Po shpresoj që Nora do të jetë në ditën e saj dhe nëse hyn në luftërat finale pa dyshim se do t’i veshë. Performanca e Norës do të varet shumë nga një problem i vogël që i ka ardhur kohët e fundit, por megjithatë besoj se ajo do të luftojë, pasi nuk ka ardhur këtu për t’u dorëzuar, pavarësisht problemit që ka me lëndimin. Sidoqoftë mendoj se qëllimi i shtetit tonë, qëllimi im dhe i Majlindës është arritur”, ka nënvizuar Kuka.

Toni nuk dyshon aspak në atë se populli i Kosovës do të dijë ta vlerësojë këtë sukses të Majlindës dhe do t’i dhurojë asaj një pritje madhështore pas kthimit nga Rio.

“Majlinda ka qenë kampione botërore, por Lojërat Olimpike janë Lojëra Olimpike. Këtu është ajka e sportit botëror. Të gjitha shtetet investojnë për katër vite në sportistë të nivelit të lartë për të arritur medaljen olimpike. Pra, ky sukses është më i veçantë se çdo sukses tjetër, prandaj shpresoj se edhe populli i Kosovës do të shprehë dëshirën t’i takojë heronjtë e vet. Majlinda është një heroinë e Kosovës. Unë jam ndoshta ai që ia kam trasuar rrugën dhe që e kam dërguar drejt fitoreve, por megjithatë është Majlinda ajo e cila më të vërtet meriton një pritje të jashtëzakonshme. Ne nuk jemi njerëz që i duam aq shumë ceremonitë, por megjithatë kësaj radhe ja vlen, sepse të marrësh pjesë për herë të parë si shtet në Olimpiadë dhe të fitosh medaljen olimpike nga një shtet i vogël si Kosova me të vërtetë është një arritje e jashtëzakonshme”, ka përfunduar Kuka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme