Kur Bayerni kujtoi se 5 milionë euro ishin shumë për një lojtar si Varane

Prishtinë | 12 Pri 2020 | 14:47 | Nga Ekonomia Online

Bayern Munich nuk kishte qenë e gatshme t’i harxhonte as 5 milionë euro për Raphael Varane në kohën kur ai luante për Lens, sipas Willy Sagnol, i cili i pafuqishëm t’ia parandalonte Real Madridit blerjen e qendërmbrojtësit francez.

Varane u shfaq në skenë si njëri prej talenteve më të shndritur në futbollin evropian gjatë kohës së tij në Lens, duke i rënë në sy Jose Mourinhos, atëherë trajnerit të Real Madridit, transmeton Gazeta Express.

Trajneri portugez ia doli ta joshë francezin t’i bashkohet Real Madridit më 2011 dhe Varane nënshkroi kontratë gjashtëvjeçare në moshën 18-vjeçare.

Që prej atëherë, Varane i ka regjistruar 301 paraqitje në të gjitha garat për Realin, duke i shënuar 14 gola dhe duke i mbledhur 17 trofe të mëdhenj në përgjithësi.

Sagnol po punonte si skaut në Bayern kur Varane po rritej në Lens, dhe ai kujton kur bordi i klubit gjerman e kishte refuzuar kur ai ia kishte rekomanduar blerjen e francezit.

“Kur isha në Bayern, një mik më telefonoi dhe më tha: ‘Duhet të shkosh patjetër në Lens dhe ta shohësh një lojtar tejet inteligjent’. Pas vetëm pjesës së parë, e kuptova sa i pjekur ishte Varane në atë kohë. Ai luajti si mesfushor mbrojtës në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë u aktiviua si qendërmbrojtës”, tregoi Sagnol.

“Kisha kontakte në Lens dhe brenda 48 orëve ia arrita ta siguroj çmimin e tij. Në total, çmimi i tij do të shkonte nga 4 deri në 5 milionë euro”, vazhdoi ai.

“Kur ia dorëzova dosjen drejtuesve të klubit, më thanë se ishte paksa shtrenjtë për një 18-vjeçar. Dy muaj më vonë, ai iu bashkua Real Madridit për 10 milionë euro”, shtoi ai

Të ngjashme