Kur do të drejtojë një skuadër italiane? Përgjigje interesante nga Guardiola

Prishtinë | 22 Maj 2021 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

“Kur të jem 72 vjeç dhe të vij në Itali për të stërvitur, unë do të kërkoj Roberto Baggio të jetë ndihmësi im”, kështu thotë trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola.

Guardiola dhe Baggio luajtën së bashku në Brescia dhe strategu i Citizens foli për kohën e tij me legjendën italiane në një intervistë për Il Corriere dello Sport.

“Johan Cruijff gjithmonë fliste shumë për Baggion. Ai donte ta shihte atë në një ligë teknike siç ishte La Liga dhe ai pyeste veten nëse do të adaptohej në futbollin spanjoll”, ka thënë Guardiola.

“Baggio mund të kishte luajtur kudo, por në ato vite, ishte e pamundur ta bindje atë të largohej nga Seria A. Lojtarët më të mirë ishin në Itali, dhe të gjithë donin të luanin atje”.

“Unë dëshiroja të luaja jashtë vendit dhe kur drejtorët e Brescias, Mauro Pederzoli dhe Gianluca Nanni erdhën të më takonin në Barcelonë, nuk u desh shumë kohë që unë të pranoja. Ata më folën për Baggion, Toni, Calori, Petruzzi dhe binjakët Filippini. Mendova: ‘Nëse Baggio është atje, kjo do të thotë që ata duan t’i bëjnë gjërat seriozisht’. Dhe kisha të drejtë”.

“Baggio ishte futbollisti më i mirë dhe i trajtoi të gjithë në të njëjtën mënyrë, nga Presidenti te punëtorët e magazinës”.

Baggio u largua nga bota e futbollit dhe aktualisht  jeton në fshat me familjen e tij tani.

“Ne po jetojmë në një shoqëri ku të gjithë presin të marrin njohje nga njerëzit që janë larg nesh, në vend se të duan nga ata që janë afër”.

“Baggio është e kundërta, ai preferon dashurinë e të afërmve të tij sesa të dalë në skenë në qendër. Të gjithë ne njerëzit jetojmë për atë që ndodh jashtë, duke harruar veten tonë. Ai preferon jetën e tij të brendshme, familjen e tij, Budizmin dhe shijimin e gjërave të vogla”.

“Kur të jem 72 vjeç dhe të vij në Itali për të drejtuar ndonjë skuadër, do t’i kërkoj të bëhet ndihmësi im. Do të përpiqem ta kthej në botën e futbollit. Po,r ju nuk mund ta bindni Baggio, ai vendos”, ka shtuar më tej Guardiola.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme