Kurti: Kosova është e artë, nga Parisi presim tri e më shumë medalje

Prishtinë | 02 Gus 2021 | 22:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para publikut të mbledhur në sheshin e Prishtinës për kampionet olimpike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka thënë se puna e madhe që kanë bërë kampionet janë motivim për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai ka pasur fjalë të mëdha edhe për kampionen e parë në histori të Kosovës, Majlinda Kelmendi.

“Mirmbrëma dhe urime të gjithëvë. Le t’iu urojmë mirëseardhja skuadrës sonë olimpike me një duartrokitje të madhe e të fuqishme sepse kanë bërë historinë në Tokio. Edhe pse nuk mori medalje të artë në Tokio ajo ka marrë zemrat tona. Me përkushtimin e saj ajo ka hapur rrugën për atletët tonë që të ëndërrojnë më shumë e të synojnë më lartë. Ajo i solli Kosovës medaljen e parë të artë duke u bërë simbol i shpresës duke na thënë që është gjithçka e mundur. Kampione në tatami, e kampione në jetë”, ka thënë ai.

Ai nuk e ka lënë pa thënë fjalë të mëdha edhe për kampionet e Tokio 2020, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe nuk e ka lënë pa lavdëruar punën e trajnerit Driton Kuka.

“Në olimpiadën e parë në rio ajo solli medaljen e artë. Në Tokio morrëm dy medalje të arta. Një duartrokitje të madhe për këto kampione. Medaljet e arta aq sa kërkojnë talent, kërkojnë edhe punë e përkushtim. Kërkojnë taktiktë e strategji të përsosur. Trajneri që na ka dhënë zemër të gjithëve. Ai është trajneri i artë Driton Kuka. Tri medalje të arta nga tri gra, kjo fjali me 7 fjalë duhet të mjaftojë për të fituar cdo medalje për barazi gjinore. Falemnderit vajzave, falemnderit trajnerit. Në Rio ,orëm 1 medalje, në Tokio 2. Le të fillojnë përgatitjet që në Paris të marrim 3 e më shumë medalje. Ju faleminderit të gjithëve. KOSOVA është e ARTË”, përfundoi ai.

Trajneri i ekipit olimpik të xhudos së Kosovës, Driton Kuka, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së pritjes ka thënë se Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova kanë qenë në garë për medalje, por që as vet ai nuk i ka pritur dy medalje të Arta Olimpike.

Tutje, Kuka tha se ajo që e ka bërë gjithmonë krenarë vendin ka qenë Majlinda Kelmendi, ndërsa Nora dhe Distria po e vazhdojnë ëndrrën e saj.

“Ta them të drejtën e kam pritur një pritje dinjitoze por jo kaq njerëz e një organizim kaq dinjitoz. Është kënaqësi që pas asaj që ndodhi në Rio që i ka treguar botës se ne e kemi merituar lirinë, tash po e vazhdojmë tutje. Ajo që na ka bërë krenarë gjithmonë është Majlinda, ndërsa ëndrrën e saj po e vazhdojnë Distria dhe Nora. Nora e Distria kanë qenë kandidate për medalje, por dy të arta nuk i kam pritur as unë”, është shprehur Kuka.

Të ngjashme