Kush do të mund ta shohë ndeshjen me Greqinë nga stadiumi, flet kreu i “Dardanëve”

Prishtinë | 03 Sht 2021 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Këtë të diel, Kosova e pret në shtëpi Greqinë, për ndeshjen në fazën kualifikuese për Kampionat Botëror. Për shkak të masave anti-COVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës, “Dardanët” do të luajnë në “Fadil Vokrri” me prezencën e vetëm 10 për qind të tifozëve, shkruan Gazeta Express

Vetëm 10 për qind e “Dardanëve” do ta kenë fatin ta shohin në stadiumin “Fadil Vokrri” ndeshjen e Kosovës me Greqinë, më 5 shtator.

Megjithatë, “Dardanët” po negociojnë me Ministrinë e Shëndetësisë që ky numër të rritet të paktën në 20 për qind.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar kryetari i “Dardanëve”, Lulzim Berisha.

Berisha ka deklaruar se 10 përqindëshi i tifozëve që do të jenë në stadium do të jenë pjesë e tifo-grupit “Dardanët” dhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës.

“Jemi në negociata me e rritë numrin e tifozëve, sot e kemi një takim, do ta shohim se çka mund të bëjmë. Jo nuk ka bileta në shitje, janë  veç për “Dardanët” dhe institucionet”, ka deklaruar Berisha.

Berisha ka treguar për shkak të kufizimit të lirisë së lëvizjes, “Dardanët” që do të sigurojnë një biletë për ndeshjen e së dielës, do të pajisen me leje të veçantë, deri në orën 00:00.

“Ora policore për dy ndeshjet eliminohet, shtyhet deri në orën 00:00 për njerëzit që janë në stadium, sepse shumica e njerëzve që vijnë, e që janë në numër të vogël, janë të gjithë me emër dhe mbiemër, ashtu edhe biletat do të dalin, kështu që atë regjistër do ta çojmë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për të gjithë jepet një leje speciale deri në orën 00:00, derisa të shkojnë nëpër shtëpia, është marrëveshje”, ka deklaruar Berisha.

Ndryshe, Kosova arriti dje fitoren historike në një ndeshje kualifikuese për Kampionat Botëror, duke e mposhtur Gjeorgjinë në udhëtim me rezultat minimal, 0:1.

“Dardanët” janë rikthyer në Kosovë, teksa në stadiumin “Fadil Vokrri” do t’i zhvillojnë edhe dy ndeshjet tjera, ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8.

Përkundër që ndeshjet zhvillohen nga ora 20:45 dhe ora policore në vend nis nga ora 22:00, tifozët do të lejohen në stadium me 10% të kapacitetit të stadiumit.

Të ngjashme