KV Drita, kampione e Kosovës në volejboll për stinorin 2020/2021

Prishtinë | 17 Pri 2021 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Pa asnjë set të humbur në finalet e play-offit, KV Drita nga Gjilani është shpallur kampione e Kosovës në volejboll

Drita e ka nisur furishëm finalen e tretë ndaj M-Technologie, duke avancuar që në setin e parë me 10:0. Ishte kjo një periudhë në të cilën ka shërbyer si është më së miri Lorina Mehmeti, e lojtaret e M-Technologie asesi nuk ia dolën që të organizojnë ndonjë sulm. M-Technologie më pas u mobilizua dhe arriti që të nguushtojë rezultatin në 14:8, gjë e cila e detyroi kryetrajnerin Lorik Ilazi që të kërkojë një time-out. Drita arriti që të stabilizojë lojën, falë bllokut shumë të mirë dhe u shkëput deri te rezultati 19:10, por çuditërisht ritmi i lojës te Drita sërish ra dhe tek rezultati 20:16, kryetrajneri Ilazi u desh që sërish t’i ftojë lojtaret në konsultë. Në fund seti u përmbyll me rezultat 25:22.

M-Technologie shumë keq e kishte nisur ndeshjen, por loja e sak shkoi duke u rritur, andaj më me shumë shpresë prishtinaset e nisën setin vijues. Drita seriozisht e ka marrë edhe setin e dytë dhe është shkëputur në rezultat 4:1. Kësaj radhe Prenga ia doli që të marrë shumicën e pikëve, derisa edhe Sylejmani shquhej si në bllok, por edhe në sulme. Drita ka vazhduar me lojë të sigurt dhe është shkëputur në rezultat 17:8, kurse në fund të setit e ka kufizuar ekipin mysafir në 17 pikë, duke ngadhënjyer me rezultat 25:17.

Një set e ka ndarë KV Dritën për t’u shpallur kampione, për të rikthyer lavdinë kur për katër vite radhazi ishte kampione e Kosovës. Shumë të qeta në këtë ndeshje, lojtaret e Dritës kanë krijuar epërsi prej 14:7 e më pas edhe prej 18:9, por prishtinaset u rikthyen deri te rezultati 20:17, por kjo ishte e tëra ngase Drita fitoi setin me rezultat 25:19.

Të gjitha lojtaret e Dritës dhe stafi teknik janë nderuar me medalje, kurse kupën kapitenes së Dritës Adelajda Prenga – Ilazi ia ka ndarë presidenti i FVK, Bahri Gjinovci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme