Kyuta, talenti dhjetë vjeçar i sumos që peshon 85 kilogramë

Prishtinë | 19 Jan 2021 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Në mesin e mundësve të rinj të sumos që po ngrenë pesha në ring, po shquhet 10-vjeçari Kyuta Kumagai. Me 85 kilogramë, Kyuta ka dyfish më tepër peshë se fëmijët e tjerë të moshës së tij që po ushtrojnë dhe është aq dominues saqë i mposht në mundje edhe djemtë pesë-gjashtë vjet më të vjetër.

Vitin e kaluar ai u shpall kampion i botës për grupmoshën U-10, duke dominuar në një garë ku morën pjesë garues nga Mbretëria e Bashkuar e Ukraina. Regjimi stërvitor i tij, i përgatitur nga babai i tij Taisuke, është mjaft i rëndë. Ai stërvit gjashtë nga shtatë ditët e javës, në një klub lokal të sumos apo ushtron me pesha. Po ashtu bën not dhe stërvitet në shteg të atletikës, në tentim për ta ndërtuar fleksibilitetin e tij dhe eksplozivitetin që i duhet në sumo.

Kyuta është në program stërvitor qëkur babai i tij e regjistroi në një turne të sumos, ndërsa ende ishte në kopsht.

“Nuk e mësova asgjë, ai mund të bënte disa gjëra vetë natyrshëm”, thotë Taisuke, një ish-mundës amator në sumo. “Ka talent për sumo. Ai e fitoi turneun. Mendova se mund të ketë diçka të veçantë”.

Kyuta, që është pak i ndrojtur, përgjigjet thjesht: “Është argëtim të mposhtësh garuesit që janë më në moshë”.
Mst: “Kam vënë bast çdo gjë në këtë”

Kur u bë e qartë se djali kishte talent, Taisuke e zhvendosi familjen në zonën Fukagawa të Tokios, që është e famshme për prodhimin e mundësve të sumos. Ai ka pasur përkrahje të madhe këtu.

Babai dhe i biri stërviten në një tempull-lokal në mënyrë intensive. Seancat kanë tendencë të përfundojnë me mundje të tyre. Taisuke e shtyn aq fort Kyutan, saqë fëmija shpesh mbetet pa frymë dhe qan. Por ai beson se kjo është mënyra e vetme për ta nxjerrë më të mirën nga i biri.

“Nuk mendoj se po i bëj tepër presion. Ai ka kohë të luajë me shoqëri”, thotë Taisuke.

Stërvitjet janë të shtrenjta dhe kushtojnë përkushtim të gjithë familjes, përfshirë edhe të nënës së Kyutas, Makikos.

“Unë nuk luaj bixhoz në kazino, por kam vënë bast çdo gjë në këtë”, thotë Taisuke.

4 000 kalori në ditë

Çelësi për suksesin në sumo është ushqimi. Në një ditë Kyuta konsumon 2 700 deri 4 000 kalori, përfshirë një litër qumësht dhe shumë proteina. Bifteku është i preferuari i tij.

Taisuke thotë se Kyuta duhet të shtojë diku edhe 20 kilogramë në kohën kur të hyjë në shkollë të mesme pas dy vjetëve.

Nëse e bën këtë, atëherë shpresa është që të regjistrohet në një klub të profilit të lartë në sumo dhe Taisuke thotë se ka pasur interesim.

Trajneri i tij aktual, ish-mundësi profesionist Shinichi Taira, mendon se Kyuta ka çfarë duhet për t’u bërë superyll.

“Për momentin, ai ka talent të madh”, thotë Taira.

Kyuta dëshiron të arrijë nivelin “yokozuna”, që është niveli më i lartë në sportin e sumos.

Por ai e pranon se regjimi stërvitor mund të jetë brutal.

“Stërvitjet në sumo janë diçka që nuk mund t’i përshkruaj si argëtim. Kur bëhet tepër vështirë…nganjëherë kam menduar të dorëzohem”, thotë Kyuta.

Por tash ai po vazhdon marshimin drejt majës, për vete dhe për babanë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme