La Liga shqyrton masat ligjore pas ndryshimit të datës së “Clasicos”

Prishtinë | 24 Tet 2019 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Në një kthesë të radhës të një lufte për fuqi që nuk po merr fund, liga spanjolle të mërkurën ka thënë se do të shqyrtojë mundësinë të marrë masa ligjore ndaj Federatës së Futbollit të Spanjës për vendimin që “Clasico” ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit të luhet të mërkurën e 18 dhjetorit, shkruan AP.

Liga ka lëshuar një komunikatë pak kohë pasi që Federata njoftoi se më 18 dhjetor do të luhet ndeshja ndërmjet dy gjigantëve të futbollit.

Ndeshja ishte paraparë të luhej këtë të shtunë, por është shtyrë për shkak të trazirave në kryeqendrën e Katalonjës, transmeton Koha Ditore.

Data e re është propozuar nga dy klubet, por liga ka dashur që ndeshja të luhej më 7 dhjetor, që është ditë e shtunë, pasi do të ishte më e përshtatshme për pronarët e drejtave televizive.

“Clasicot” janë ndeshjet më të mëdha të vitit në Spanjë dhe janë ndër ndeshjet më të shikuara në botën e futbollit. Liga zakonisht promovon një nga to në tregun aziatik dhe një tjetër në atë amerikan.

Ndeshja e së shtunës duhej të luhej në orën 13:00 me kohë lokale, për të favorizuar audiencën aziatike. Por, nëse luhet në mesjavë, ndeshja me gjasë do të nisë në mbrëmje, duke krijuar probleme për ligën që t’u përmbahet kontratave me pronarët e të drejtave televizive.

Mosmarrëveshjet për “Clasicon” kanë shtuar edhe më tepër plagë në marrëdhënien e acaruar mes La Ligas dhe Federatës së Spanjës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme