Lajm i mirë për Shqipërinë, Turqia rrezikon përjashtimin nga eliminatorët

Prishtinë | 16 Tet 2019 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Shqipërisë mund ta sheh veten e kualifikuar në Euro 2020, nëse UEFA vendos ta përjashtoj kombëtaren e Turqisë pas festimeve me motive politike.  

Ka pak gjasa të ndodhë, për të mos thënë nuk ka fare nëse nuk do të ketë një përshkallëzim të situatës në ndeshjet e ardhshme të kombëtares turke.

Por, nëse do të ketë një përjashtim të kombëtares turke nga UEFA për përhapjen e mesazheve politike gjatë festës së golave kundër Shqipërisë dhe Francës, atëherë Islandës dhe Shqipërisë do t’i rikthehej ëndrra e një kualifikimi të mundshëm në finalet e Evropianit të verës së ardhshme.

Në rast se do të kemi një skenar fatal të Komisionit të Disiplinës në UEFA për rastin e Turqisë, atëherë pas Francës, e cila mund të quhet e kualifikuar në “Euro 2020”, Islanda dhe Shqipëria do të luftonin për vendin e dytë që pret biletën për turneun. Aktualisht, në vend të tretë në Grupin H renditen nordikët, të cilët kanë grumbulluar 15 pikë pas 8 ndeshjeve, tri më shumë se Shqipëria.

Kuqezinjtë e Edy Rejas duhet të shpresonin në këtë skenar që të fitonin dy ndeshjet e mbetura, kundër Andorrës dhe Francës, të cilat do t’i luajnë të dyja në shtëpi dhe të bëjnë tifo që Moldavia të bëjë surprizën kundër Islandës në ndeshjen e fundit, sepse më 14 nëntor Islanda presupozohej të luante kundër Turqisë në udhëtim.

Fati i kuqezinjve është se nuk i kanë marrë asnjë pikë Turqisë në dy ndeshje, ndërkohë që Islanda i ka mundur ata 2-1 në shtëpi dhe natyrisht që këto pikë do zeroheshin. Gjithsesi, i gjithi ky është një skenar hipotetik, për sa kohë Komisioni i Disiplinës në UEFA nuk ka dhënë vendimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme