Laporta synon ta rikthejë Guardiolan nëse zgjidhet president i Barcelonës

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Joan Laporta ka thënë se do të tentojë ta rikthejë ish-trajnerin Pep Guardiola te Barcelona nëse zgjidhet president i klubit në vitin 2021, shkruajnë mediumet spanjolle.

Laporta ishte president i Barcelonës nga viti 2003 deri më 2010 dhe ishte në krye kur Guardiola u promovua te posti i trajnerit të skuadrës së parë në vitin 2008.

Guardiola ka kontratë me Manchester Cityn deri në qershor të vitit 2021, por e ardhmja e tij është në dyshim pasi UEFA e ka pezulluar Cityn për dy vjet nga garat evropiane për thyerje të rregullit të Fer Plejit Financiar.

“Unë kam qenë president më herët dhe jam i emocionuar që jam sërish në garë. Do të doja që Guardiola të kthehej, por ai tash është te City dhe është një vendim që Pep duhet ta marrë. Ai është simbol te Barcelona dhe shumë katalanë do të donin që ai të bëhej sërish trajner i Barçës. Në kohën e duhur, unë do të flas me personin që mendojmë se duhet të jetë trajner i Barcelonës nga viti 2021”, ka deklaruar Laporta për “TV3”.

Barcelona kishte fituar 14 trofe me Guardiolan në krye, përfshirë tri herë ligën e dy herë Ligën e Kampionëve. Guardiola u largua në vitin 2012.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme