Lautaro këshillohet të mos e lërë Interin për Barcelonën

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 10:06 | Nga Ekonomia Online

Ish-ylli i Kombëtares së Argjentinës, Hernan Crespo, e ka këshilluar Lautaro Martinez të qëndrojë në Inter edhe për disa sezone në mënyrë që të zhvillohet më shumë si lojtar, përkundër interesimit për transferimin e tij nga Barcelona.

Qendërsulmuesi 22-vjeçar është bërë yll në Serie A gjatë këtij sezoni, duke i shënuar 16 gola në të gjitha garat, pasi kishte dështuar të arrinte numër dyshifror të golave të shënuara gjatë sezonit të kaluar, transmeton Gazeta Express.

Zhvillimi i shpejtë i Lautaros ka bërë që ai ta tërheqë vëmendjen e shumë klubeve të mëdha të Evropës. Mediat e mëdha evropiane të sportit kanë raportuar se 22-vjeçari dëshiron t’i bashkohet klubit katalonas, pasi që dëshiron të luajë përkrah bashkëkombësit të tij Lionel Messi edhe në nivelin e klubeve. E këto spekulime i ka nxitur edhe më shumë agjenti i tij, duke thënë “Kush nuk do të dëshironte të luante me Messin?!”

Martinez ka klauzolë për shkëputjen e kontratës me klubin prej 111 milionë eurosh. Kjo klauzolë është e vlefshme për të gjitha klubet jashtë Italisë, megjithatë Barcelona s’është e gatshme ta paguajë një shumë të tillë, për shkak se do të binte ndesh me rregullat financiare të UEFA-s.

Gazeta italiane Tuttosport raporton se klubi i La Ligas do t’ia ofrojë Interin disa lojtarë të vet për ta zbritur çmimin për Martinezin. Barcelona dëshiron t’i përfshijë Nelson Semedo, Arthur, Arturo Vidal, Carles Alena dhe Jean-Clair Todibo në marrëveshje.

Megjithatë, Crespo, i ciil i kishte shijuar katër sezone në Inter gjatë karrierës së tij, mendon se është ende shumë herët për Lautaron ta bëjë një ndryshim kaq të madh në karrierën e tij.

“Do të më pëlqente që Lautaro të qëndrojë në Inter për mijëra arsye. Ai është në një skuadër të madhe dhe t’i bëjë edhe dy apo tri vjet kështu është një gjë e mirë”, ka thënë Crespo.

“TI duhet të jetosh me atë presionin që duhet të luash në të njëjtin nivel gjatë gjithë kohës. Të duhet një baraspeshë, që mund të ta japë vetëm qëndrimi në të njëjtin vend”.

“Mua më duket se atij do t’i bënte mirë qëndrimi në Inter, në këtë aspekt. Ai është i ri dhe i ka përjetuar kaq shumë ndryshime”.

“Ky është viti i tij i parë si titullar, ai e ka fituar këtë dhe sezoni s’ka përfunduar ende”.

Të ngjashme