Lazio kërcënon bilancin perfekt të Sarrit

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 09:29 | Nga Ekonomia Online

Maurizio Sarri është ende i pamposhtur pas 19 ndeshjeve në rolin e tij të ri si trajner i Juventusit, por ky bilanc dhe vetë ai janë para një sprove të vështirë, të shtunën (sot) mbrëma, kur kampioni i Serie A do të vizitojë Lazion në Romë, që kohët e fundit po tregon formë të mirë dhe po shënon shumë gola. Ndeshja ndërmjet Lazios dhe Juventusit zhvillohet në stadiumin “Olimpico”, në kuadër të xhiros së 15-të të Serie A dhe nis në orën 20:45.

Numrat e Sarrit këtë edicion janë mbesëlënës me 15 fitore dhe katër barazime, megjithatë trajneri italian duket se ende nuk ka arritur të imponojë filozofinë e tij të veçantë të lojës te Juventusi, ekip të cilin e mori para fillimit të këtij edicioni, shkruan sot Koha Ditore.

Barazimi i fundit në shtëpi ndaj Sassuolos (2:2) vikendin e shkuar bëri që Juventusi ta humbë vendin e parë në tabelë, të cilin aktualisht e mban ekipi i Interit me një pikë më shumë. Në duelin kundër Lazios, Sarri nuk do të mund të llogarisë në mesfushorët Sami Khedira, Aaron Ramsey e Douglas Costa, që të tre të lënduar. Megjithatë, në ekip është kthyer francezi Adrien Rabiot që është rikuperuar nga lëndimi.

“Na pret një ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh se Lazio këtë edicion po tregohet një ekip shumë i fortë. Mbi të gjitha, po luan një lojë sulmuese dhe po shënon shumë gola. Kështu që, nuk do ta kemi aspak të lehtë. Në gjashtë ndeshjet e fundit Lazio ka marrë 18 pikë që do të thotë se duhet të jemi të kujdesshëm”, është shprehur Sarri të premten në konferencën për shtyp.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme