Lazio konfirmon largimin e Inzaghit

Prishtinë | 27 Maj 2021 | 20:55 | Nga Ekonomia Online

Lazio ka lëshuar një deklaratë ku ka konfirmuar që Simone Inzaghi po largohet, por nuk ia ka përmendur as emrin.

Kontrata e Inzaghi me këtë klub do të skadojë më 30 qershor dhe sipas mediave italiane një natë më parë ai kishte rënë dakord ta zgjaste qëndrimin e Lazio deri në qershor 2024.

Sidoqoftë, sot Interi i kishte bërë një propozim të ri duke ia dyfishuar pagat për të udhëhequr kampionët e Serie A.

Sipas mediave presidenti, Claudio Lotito, është përpjekur që të ndryshojë mendimin, por nuk ia ka arritur.

Lazio më në fund e ka pranuar që e ka humbur Inzaghin, duke lëshuar ​​një deklaratë të shkurtër për largimin e tij, duke mos ia përmendur as emrin.

“Ne respektojmë ndryshimin e mendimit të një trajneri dhe, para kësaj, të një lojtari që për shumë vite ka qenë i lidhur emrin e tij me familjen e Lazio dhe sukseset e shumta me Biancocelestët”, shkruan në komunikatën e Lazios.

Interi pritet të zyrtarizojë Inzaghin si trajnerin e tyre të ri me një kontratë dy-vjeçare ku do të fitojë 4 milionë euro në sezon.

Të ngjashme