LeBron James, me fjalim emocional për Koben Bryantin

Prishtinë | 01 Shk 2020 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

LeBron James ka kujtuar legjendën e Lakers, Kobe Bryant, të premten mbrëma në Staples Center.

Ekipi basketbollistik Lakers luajtën mbrëmë kundër Portland Trail Blazers në ndeshjen e tyre të parë që kur Bryant vdiq në një aksident me helikopter të dielën në Los Angeles, bashkë me të bijën e tij Gianna dhe shtatë persona tjerë në bord, transmeton Koha.net.

Para ndeshjes, ekipi dhe fansat kujtuan jetën e Bryantit me shumë përkujtime, që nga veshja e fanellave me numrat 8 dhe 24 gjatë ngrohjeve të parandeshjes deri te 24 sekonda heshtje. Më pastaj performuan edhe Usher, Boyz II Men dhe Ben Hong.

Pas këtyre ceremonive, LeBron doli në skenë. Ai fillimisht ngushëlloi të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi, duke lexuar emrat e të nëntë viktimave.

Më pas ai nxori edhe një letër. “E tani, kam diçka të shkruar. Më thanë të mos dal nga skenari”, nisi Jamesi. “Por, s’do të isha i plotë nëse do të lexoja këtë letër, prandaj do të flas nga zemra”.

LeBroni i tha turmës “të mbështeten tek krahët e familjes”.

“Tani e di se do të vjen dita kur do të kemi një përkujtimore për Koben, por këtë sonte e shoh si kremtim”, tha Jamesi.

“Koben e kam vëlla. Nga koha kur isha në shkollë të mesme, teksa e shikoja nga larg, e deri tek mbërritja në këtë ligë në moshën 18-vjeçare, e kam shikuar për së afërmi. Të gjitha ato beteja që i kishim gjatë karrierës sime. Një gjë që gjithmonë e ndanim ishte përkushtimi vetëm për të fituar, dhe vetëm për të qenë të mrekullueshëm. Dhe fakti se jam këtu tani do të thotë shumë për mua. Dua të vazhdoj me bashkëlojtarët e mi, të vazhdojë trashëgiminë e tij, jo vetëm për këtë vit, por për sa kohë të luajmë basketboll, sepse këtë do ta donte Kobe”, tha Jamesi ndër të tjera në fjalimin e tij emocional.

“Dhe, siç thoshte Kobe Bryant, ‘Mamba iku’. Por ne themi, ‘I paharruar’. Vazhdo të jetosh vëlla”.

Ndërkaq, sipas TMZ-së, para këtij fjalimi, LeBron James realizoi tatuazhin e tij më të ri me fjalët, “Mamba 4 Life”.

Bryant, e bija e tij Gianna, Ara Zobayan, John Altobelli, Keri Altobelli, Alyssa Altobelli, Sarah Chester, Payton Chester dhe Christina Mauser vdiqën të dielën në një aksident me helikopter në Kaliforni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme