Leeds United pranë rikthimit në Premier League pas 16 vjetësh

Prishtinë | 07 Kor 2020 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Pas 16 vjetësh në “shkretërirë”, Leeds Unites është në prag të rikthimit shumë të pritur në Premier League – për aq kohë sa ekipi mund të mbajë pozitën aktuale deri në fund të sezonit. Triumfi i fundit ndaj Blackburnit (3:1) javën e shkuar e ofroi Leedsin edhe një hap më afër elitës së futbollit anglez pas një kohe të gjatë nëpër ligat e ulëta të Anglisë. Ekipi i trajnerit Marcelo Bielsa prin në tabelë me 78 pikë, një më shumë se West Bromëichi, kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të këtij edicioni.

Dy skuadrat e para në tabelë sigurojnë ngjitjen direkte në Premier League për sezonin e ri derisa katër të tjerat luajnë në plejof. Me Brentfordin, që është i treti me gjashtë pikë më pak, Leedsi është me një këmbë në elitë, gjë që legjioni i tifozëve fanatikë tashmë e ka nisur festën. Mirëpo Leedsi ishte në pozicion të ngjashëm edhe sezonin e kaluar dhe e humbi rastin për promovim automatik para se të futej në plejof, ku edhe dështoi të siguronte futjen në Premier League.

Kur Leedsi triumfoi ndaj Sheffield Wednesdayt (13 prill, 2019), tifozët vendas festuan në stadiumin “Elland Road” si të çmendur, sikur promovimi të ishte siguruar. Vetëm 15 ditë më vonë, pas humbjeve nga Wigani dhe Brentfordi dhe barazimit të papritur ndaj Aston Villas, u dhanë fund shpresave të Leedsit që sezonin ta përfundonte në njërën prej dy pozitave të para. Leedsi pas kësaj e humbi qetësinë, gjë që e shfrytëzoi Derby County që e eliminoi në gjysmëfinale të plejofit në stadiumin “Elland Road”. Pavarësisht asaj mbrëmjeje të hidhur, trajneri Bielsa ka punuar fuqishëm për ta rikthyer sërish Leedsin që këtë edicion po synon të shmangë ndeshjet e plejofit. Në fakt, Leedsi po synon të rikthehet në Premier League si kampion i këtij edicioni në Championship.

Mirëpo me dështimin e sezonit të kaluar, Bielsa ka kërkuar nga tifozët që mos të festojnë para kohe. Ai ka pranuar se ende asgjë nuk është e sigurt dhe për këtë arsye ka kërkuar prej të gjithëve që të ruajnë qetësinë.

“Po, kam frikë se mos po dështojmë si edicionin e shkuar për shkak se ende asgjë nuk është e garantuar”, shtoi Bielsa pas fitores së fundit. “Çdo ndeshje në këtë periudhë është shumë e rëndësishme. Nëse shpërqendrohemi, do ta paguajmë shtrenjtë këtë. Kështu që, duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe të jemi të fokusuar në çdo ndeshje deri në fund të sezonit”.

Me futbollin anglez që po luhet prapa dyerve të mbyllura për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndoshta Leedsi do të përfitojë nga duelet në heshtje, sesa para tifozëve që po e fusin ekipin nga presion për shkak se me çdo kusht po e duan rikthimin në elitë. Këtë e pranojnë edhe tifozët, të cilët pranojnë se do të donin të ishin në tribuna.

“Unë do të doja të isha në stadium me çdo kusht. Por është një moment kaq nervoz dhe mendoj se mund të ndikojë në lojtarët”, tha tifozi i Leedsit, Simon Sanders. “Asgjë nuk ndihet mjaft mirë me këtë virus dhe mënyrën se si bota ka ndryshuar, por nëse e sigurojmë promovimin, atëherë festa do të vazhdojë për javë të tëra”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme