Legjenda e Man Unitedit e godet Van Dijkun për paraqitjen kundër Barcelonës

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 10:03 | Nga Ekonomia Online

Ish-qendërmbrojtësi legjendar i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, e ka fajësuar qendërmbrojtësin e Liverpoolit, Virgil Van Dijkun, për golin e Luis Suarezit në ndeshjen e së mërkurës.

Luis Suarez hyri në mes të Virgil Van Dijkut dhe qendërmbrojtësit tjetër të Liverpoolit, Joel Matipit, dhe e shfrytëzoi në mënyrë të përsosur harkimin e mirë të Jordi Albas.

Barcelona e fitoi me rezultat 3:0 këtë ndeshje gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në “Camp Nou”, pasi që Lionel Messi e thelloi rezultatin me dy golat e tij brenda shtatë minutave gjatë pjesës së dytë.

Megjithatë, qendërmbrojtësi i pensionuar, Rio Ferdinand, beson se Van Dijku, i cili këtë vit u emërua lojtari më i mirë i vitit në Premierligës, duhet të kishte bërë më shumë për ta ndalur Suarezin në golin e parë.

“Virgil van Dijk e ka fajin këtu. Ai mund ta shohë Suarezin, i cili tregoi me gisht se ku e do topin. Nuk është e vështirë për t’u kuptuar. Ai është menjëherë para tij”, u shpreh Ferdinandi për BT Sport.

“Ky është lojtari yt, ai me numrin nëntë në fanellë. Statik, Van Dijku ishte statik aty. Ky është një veprim kriminal në atë pozitë. Ai do të jetë veshët dhe sytë për Matipin, ta lëvizë Matipin aty ku duhet të ndalet topi pikë së pari”.

“Por, Matipi s’e bën këtë, atëherë ti duhet ta ruash lojtarin tënd. Jam i sigurt që ai do të jetë i zhgënjyer me këtë gjë”.

Van Dijku ka qenë shumë i lavdëruar për rolin që e ka luajtur në zhvillimin e Liverpoolit gajtë këtij sezoni. Liverpooli njihej për mbrojtjen e dobët në sezonet e kaluara, mirëpo falë edhe ndihmës së holandezit, Liverpooli ka marrë më pak gola se cilido klub tjetër në Premierligë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme