Legjenda e Milanit, George Weah, u zgjodh president i Liberisë

Prishtinë | 02 Jan 2018 | 09:42 | Nga

Legjenda e Milanit, George Weah, është zgjedhur president i Liberisë pas fitores përballë rivalit të tij politik, Joseph Boakai.

Fituesi i Topit të Artë (1995) konsiderohet si një prej futbollistëve më të mirë afrikanë në histori, ndërsa krahas Rossonerëve, Monaco, Paris Saint-Germaini, Chelsea dhe Manchester City – janë ndër klubet e njohura ku ai ka luajtur.

Pasi u pensionua nga futbolli, ai u përfshi shumë në politikë, ndërsa konkurroi në zgjedhje edhe në vitin 2005, pas Luftës së Dytë Civile në Liberi.

Asokohe, ai nuk fitoi, duke qenë se i mungonte shkollimi, prandaj më pas diplomoi në Administrim Biznesi në Miami.

Në vitin 2014, u zgjodh në Senatin liberian dhe tash, në zgjedhjet e dhjetorit, u zgjodh president i Liberisë.

Mirëpo, Weah nuk është sportisti i vetëm, i cili është shndërruar në politikan. Telegrafi jua sjell sportistët tjerë që e kanë vazhduar karrierën në politikë.

Vitali Klitschko

Wladimir Klitschko dhe vëllai i tij i madh, Vitali, e dominuan kategorinë e peshave të rënda në boks për thuajse një dekadë.

Vitali e përfundoi karrierën në vitin 2012 me një rekord prej 45 fitoresh (41 me nokaut) dhe dy humbjeve.

Në vitin 2004, të dy vëllezërit e mbështetën Vickor Yuschenkon në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, ndërsa 12 muaj më pas, Vitali u caktua këshilltar i presidentit.


Më pas, ai u bë lider i Aleancës Demokratike Ukrainase për Partinë Reformuese në vitin 2010, e cila fitoi 40 ulëse në Kuvend në zgjedhjet e vitit 2012.

Vitali Klitschko mbetet një figurë kuçe politike dhe e konsideron BE-në si “model zhvillimi”.

Sebastian Coe

Atleti britanik i ka fituar dy medalje të arta në vrapimin në 1.500 metra, në Lojërat Olimpike të vitit 1980 dhe 1984.

Në vitin 1992, ai zgjodh si deputet i Falmouth dhe Camborne për Partinë Konservative, para se ta humbte ulësen në zgjedhjet e përgjithshme pesë vite më vonë.

Ai iu kthye politikës si shef i stafit të William Hague për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001, kur nuk rezultuan të suksesshëm.

Ndërkaq, Coe me sukses siguroi që Londra të ishte nikoqir i Lojërave Olimpike të vitit 2012 dhe është zëvendëspresident i Shoqatës Ndërkombëtare të Federatës së Atletikës (IAAF).

Romario

Ai është një prej futbollistëve më të mëdhenj brazilianë, ndërsa ishte ylli i skuadrës në Kampionatin Botëror të vitit 1994.

Po ashtu, Romario ishte pjesë e ekipit të ëndrrave të Barcelonës nën drejtimin e Johan Cruyffit.

Pas karrierës si futbollist, ai u zgjodh në Dhomën e Deputetëve nga Partia Socialiste e Brazilit.

Në vitin 2014, Romario u zgjodh në Senatin e vendit të tij dhe fitoi më së shumti vota prej të gjithë kandidatëve duke e përfaqësuar Rio de Janeiron.

Manny Pacquiao

Manny Pacquiao është një prej boksierëve mjaft të suksesshëm në kategorinë e tij.

Ai ka fituar 11 trofe të rëndësishëm botërorë dhe është i pari në histori që ka fituar tituj në katër prej tetë kategorive.

Filipinasi është edhe një rezervist ushtarak dhe mban gradën e nënkolonelit në Forcat Rezervë të Armatës Filipinase.

Pacquiao për herë të parë garoi për një vend në Kuvend në vitin 2007, ndërsa në vitin 2016 grumbulloi 16 milionë vota për t’u renditur i shtatë në mesin e 12 senatorëve te rinj.

Kakha Kaladze

Ish-mbrojtësi i majtë i Milanit u bë gjeorgjiani i pari që e ka fituar Ligën e Kampionëve, pas triumfit të Rossonerëve në vitin 2003.

Suksesi me klubin italian e bëri shumë të pëlqyer në vendlindjen e tij duke e bërë një personazh të rëndësishëm.

Pas pensionimit në vitin 2012, Kaladze u bë anëtar i partisë opozitare, Ëndrra Demokratike Gjeorgjiane dhe u zgjodh deputet në Parlament, para se të caktohej ministër i Energjisë.

Kjo gjë shkaktoi reagime për konflikt interesi, për shkak të aksioneve të tij në një kompani të konstruktimit të hidrocentraleve.

Këtë vit, Kaladze dha dorëheqje nga posti i ministrit të Energjisë dhe u zgjodh kryetar i kryeqytetit, Tbilisi.

Marat Safin

Fituesi i dyfishtë i Grand Slam, Marat Safin, pati një karrierë të suksesshme si tenist.

Në vitin 2000 triumfoi në US Open si 20 vjeçar dhe pesë vite më vonë fitoi në Australian Open.

Njëherësh, luajti edhe në gjysmëfinale të Wimbledonit dhe French Open.

Safin u bë anëtar u Dumas Shtetërore në vitin 2011, ku e përfaqëson Partinë Rusia e Bashkuar të Vladimir Putinit.

Imran Khan

Ish-ylli pakistanez i kriketit, pasi u tërhoq nga sporti u angazhua në politikë.

Në vitin 1996, ai e themeloi Partinë Tehreek-e-Insaf në Pakistan (që në përkthim do të thotë Lëvizja Pakistaneze për Drejtësi).

Ai zhvilloi një fushatë të pasuksesshme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1997, mirëpo në vitin 2013, partia e tij u bë partia e dytë më e madhe në Pakistan dhe ai tash konsiderohet si politikani me ngritjen më të shpejtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme