Legjendat angleze për Topin e Artë: Jorginho s’është më i miri në Chelsea e lëre më në botë

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Dy ish-yjet e Anglisë, Michael Owen dhe Rio Ferdinand, nuk pajtohen aspak se Jorginho është kandidat i mirëfilltë për Topin e Artë 2021, duke këmbëngulur se ai madje nuk është lojtari më i mirë as në skuadrat e veta, Chelsea dhe Itali.

Jorginho është përmendur në mesin e favoritëve për ta fituar Topin e Artë këtë vit, pasi i ndihmoi Chelseat ta fitojë Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar dhe ishte kyç edhe në triumfin e Italisë në Euro 2020, raporton Gazeta Express.

Por Owen dhe Ferdinand, tani ekspertë të futbollit në BT Sport, në diskutimet për çmimin më prestigjioz individual për futbollistë, nuk shohin ndonjë favorit të qartë, e aq më pak Jorginhon.

“Nuk ka favorit të madh këtë vit”, tha Owen në lidhje me Topin e Artë.

“Nëse i shikojmë statistikat, Lewandowski i ka 50 gola dhe 6 asiste në 38 ndeshje. Por ai nuk ka fituar shumë, asgjë përveç Bundesligës”.

“Natyrisht, Messi e ka fituar Kupën e Amerikës dhe asgjë me klubin. Benzema asgjë. Jorginho është i vetmi që ka fituar trofe të mëdhenj, por ai nuk është madje as lojtari më i mirë i tyre (ekipeve të veta)”, nënvizoi Owen.

Ferdinandi pajtohet me Owenin, duke thënë se Jorginho nuk është i pari as në skuadrën e Roberto Mancinit.

“Ai nuk është lojtari më i mirë në Chelsea dhe as nuk është i pari në listën e Italisë. Ai është lojtar i mirë, mos më keqkuptoni dhe nuk dua të tregoj mungesë respekti, por nuk e kuptoj se si ai është në një listë me këta futbollistë dhe baras me nivelin e lartë në të cilin kanë luajtur këta futbollistë”, tha Ferdinand.

“Në ndeshjet e Chelseat në sezonin që e fitoi Ligën e Kampionëve, mendoj se Kante ishte lojtari i ndeshjes në 5 prej 6 ndeshjeve. Nuk kuptoj. Ai i ka fituar dy trofe të mëdhenj, këtë e kuptoj. Por ta fusësh atë në një thes me këta katër futbollistë të tjerë nuk ka kuptim”, shtoi ai.

Çmimi i Topit të Artë për vitin 2021 do të ndahet më 29 nëntor.

Të ngjashme