Lewandowski ndërpret bashkëpunimin me kompaninë kineze, që po përkrah Rusinë

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 18:13 | Nga Ekonomia Online

Robert Lewandowski ka ndërprerë bashkëpunimin me kompaninë “Huawei”, pas raportimeve se kjo kompani po ndihmon Rusinë të mbrohet nga sulmet kibernetike.

Pavarësisht se kompania kineze e telekomunikacionit mohon ka mohuar pretendimet se po ndihmojnë Rusinë të mbrohet nga sulmet kibernetike, sulmuesi polak nuk do të ketë më bashkëpunim me ta.

33-vjeçari ka mbajtur një qëndrim dhe ka ndërprerë lidhjet me kompaninë në një lëvizje që do t’i kushtojë atij rreth 5 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

“Huawei shpreh keqardhje për përfundimin e partneritetit me Robert Lewandowskin. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë afatgjatë dhe i urojmë atij çdo sukses në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

Kurse, agjenti i sulmuesit të Bayern Munichit, Tomasz Zawislak, për Interia Sport se prishja e marrëveshjes së sponsorizimit erdhi nga vendimi i Lewandowski dhe jo nga Huawei.

“Është e vërtetë. Sot vendosëm t’i japim fund bashkëpunimit të marketingut midis Robert Lewandowski dhe markës Huawei,” shpjegoi ai.

Zawislak u pyet nëse vendimi i Lewandowskit ishte i lidhur me faktin se “Huawei” është një nga kompanitë e pakta që operojnë ende në Rusi, ai tha se nuk di nëse ka diçka rreth saj.

“Nuk kemi informacion të plotë për këtë, ndaj do të ndalem në atë që kemi thënë tashmë”, shtoi agjenti i lojtarit.

Kujtojmë se kapiteni i Kombëtares së Polonisë ka qenë një kritik i zëshëm i Rusisë dhe Vladimir Putinit, pasi ky i fundit urdhëroi ushtrinë ruse që të fillojnë sulmet ndaj Ukrainës.

Federata e Futbollit e Polonisë gjithashtu mori vendim që të mos luajë ndaj Rusisë në play-off të Kampionatit Botëror, pas iniciativës së vet Lewandowskit.

Rusia pastaj u përjashtua nga të gjitha garat që organizohen nga FIFA dhe UEFA, përfshirë edhe garat për klube. 

Të ngjashme