Lewandowski një gol larg sezonit më të mirë në karrierë, objektivi ‘Këpuca e Artë’

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Robert Lewandowski vijon të mbetet një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim, pasi me golin e shënuar ndaj Bayer Leverkusenit të shtunën, e çoi në 30 numrin e rrjetave të këtij sezoni, shifra këto që e mbajnë në krye të listës së golshënuesve.

Bomberi polak po ecën me ritme të jashtëzakonshme dhe është absolutisht pretendenti kryesor për të fituar “Këpucën e Artë”, duke qenë se tani kryeson me 60 pikë, i ndjekur nga Ciro Immobile me 54 pikë, duke qenë se italiani ka shënuar 27 gola deri tani.

Javën e ardhshme Lewandowski do të mungojë për shkak të pezullimit, ndërsa më pas do të ketë në dispozicion vetëm 3 ndeshje për të shënuar sa më shumë dhe për të provuar të ruajë kryesimin e listës së golshënuesve europianë, duke qenë se Immobile ka edhe 12 javë në dispozicion.

Një tjetër motivim për bomberin polak të Bayernit është edhe përmirësimi i rekordit të tij të golave në një sezon të vetëm, që aktualisht është 31, por ambicia e Lewandowskit shkon edhe më lart, pse jo të provojë t’i afrohet rekordit të Muller me 40 gola në sezon.

Por përveç kampionatit, polaku ka bërë mjaft mirë edhe në ligën e Kampionëve, teksa ka shënuar sa herë që ka zbritur në fushë, ose më saktë 11 gola në 6 ndeshje të luajtura, ndërsa forma e mirë e Bayernit shpjegohet edhe me shpërthimin e Lewandowskit.

Të ngjashme