Lideren e pret ndeshje e vështirë në Podujevë

Prishtinë | 10 Pri 2021 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Kampionia në fuqi, Drita, planifikon ta mbajë kreun e tabelës në Superligën e Kosovës në futboll dhe po ashtu distancën e pikëve ndaj përcjellësve, Ballkanit dhe Prishtinës.

Drita i ka 58 pikë, tri më shumë se Ballkani që është i dyti dhe katër më shumë se Prishtina që renditet e treta në tabelë. Për dallim prej Dritës, skuadrat e Ballkanit dhe Prishtinës kanë kundërshtarë më të lehtë në xhiron e 28-të që nisi të premten dhe mbyllet të dielën.

Në këtë xhiro Drita do të jetë mysafire e Llapit, ndeshje kjo që luhet të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, prej orës 15:00.

Sulmuesi i Dritës, Astrit Fazliu, ka insistuar se ekipi i tij do të kërkojë vetëm fitoren në këtë përballje, për të bërë edhe një hap tjetër drejt mbrojtjes së titullit. Fazliu ka pranuar se Llapi është kundërshtar i fortë dhe i papërshtatshëm, por ka thënë se Drita nuk ka opsion tjetër veç fitores.

“Është një ndeshje shumë e vështirë, sepse Llapi ka një ekip të mirë dhe është kundërshtar tejet i papërshtatshëm, sidomos kur luan në shtëpi. Megjithatë ne tashmë jemi futur në fazën finale dhe nuk na lejohet as gabimi më i vogël. Kështu që në Podujevë do të udhëtojmë maksimalisht të motivuar për t’i marrë tri pikët dhe për të forcuar pozitën e parë”, është shprehur Fazliu për KOHËN.

“Edhe pse Llapi si vendas është i vështirë për t’u mposhtur, besoj fuqishëm se ne kemi cilësinë edhe forcën për ta arritur synimin tonë, që në këtë rast është fitorja. Jam optimist”.

Ngjashëm si Fazliu, optimist për fitore në Podujevë është shprehur edhe kapiteni i Dritës, Ardian Limani. Ai e ka vlerësuar Llapin, sidomos kur luan si vendas.

“Do të jetë ndër ndeshjet më të vështira për ne pasi Llapi luan mirë si vendas. Mirëpo ne shkojmë për t’i marrë pikët e plota për shkak se asgjë tjetër nuk na hyn në punë. Kemi bërë të gjitha përgatitjet për këtë dhe besojmë shumë në fitore”, tha Limani.

Llapi do të jetë më i motivuar se kurrë dhe trajneri Tahir Batatina e ka pranuar këtë. Ai ka thënë se ekipi i tij synon të marrë rezultat pozitiv për ta ndalur hovin e Dritës, skuadër që nuk di për humbje në gjashtë ndeshjet e fundit. Ka regjistruar katër fitore e dy barazime për dallim prej Llapit që pësoi humbje vikendin e shkuar në udhëtim.

Batatina ka thënë se fitorja në mesjavë ndaj Prishtinës është sinjal se Llapi ka gjetur ritmin e lojës. Të mërkurën Llapi e mposhti në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadrën e Prishtinës (3:2) në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Pas Prishtinës, ekipi i Llapit synon të triumfojë edhe ndaj Dritës. Llapi ende nuk e ka siguruar mbijetesën. Zë vendin e shtatë në tabelë me 33 pikë, tri më shumë se Drenica që është e teta, pozitë kjo që dërgon në barazh.

“Po besoj se tashmë si ekip e kemi gjetur ritmin tonë të lojës, gjë që u pa në ndeshjen ndaj Prishtinës. Fitorja ndaj Prishtinës pa dyshim se ka rritur në masë të madhe motivimin dhe seriozitetin e skuadrës sonë. Kështu që tash e tutje secili kundërshtar do të ketë vështirësi të mëdha kundër nesh. Ndaj Dritës do të futemi të motivuar dhe të komponuar për të pasur një paraqitje dhe rezultat të favorshëm”, është shprehur Batatina.

Të dielën luan edhe Prishtina. Skuadra kryeqytetase do të jetë mysafire e Drenicës që po lufton për t’u larguar nga zona e barazhit. Në fakt Drenica e pati mposhtur Prishtinën në Skenderaj (1:0) para pesë muajsh, në ndeshjen e xhiros së dhjetë. Prishtina në tri ndeshjet e fundit ka marrë vetëm katër pikë derisa Drenica vikendin e shkuar e shënoi triumfin e parë pas një serie prej gjashtë ndeshjeve pa fitore.

Ndërkohë të shtunën do të luhen dy ndeshje të kësaj xhiroje, që nisin në orën 15:00. Skuadra e Gjilanit e pret Feronikelin derisa Ballkani ka punë të lehtë në shtëpi përballë Besës, që tashmë ka konfirmuar rënien në një kategori më poshtë. Gjilani është në një seri të mirë pasi në tri ndeshjet e fundit ka dy fitore e një barazim derisa Feronikeli ka dy fitore e një humbje. Feronikeli renditet i gjashtë në tabelë me 34 pikë, gjashtë më pak se Gjilani që zë vendin e katërt.

Xhiroja u hap të premten me fitoren e Trepçës ’89 në udhëtim ndaj Arbërisë së Dobrajës. Dueli i luajtur në Podujevë, ku Arbëria po i luan ndeshjet si vendase, përfundoi me fitoren minimale, 1:0, të ekipit nga Mitrovica. Adenis Shala (8’) shënoi golin e vetëm në këtë takim. Me këtë fitore Trepça ’89 është ngritur në pozitën e pestë me 35 pikë derisa Arbëria ka mbetur e parafundit në tabelë me 27 pikë dhe po rrezikon rënien në Ligën e Parë pas vetëm një sezoni në Superligë.

Të ngjashme