Lideri i “Dardanëve”: Që kur kemi hyrë në stadium jemi provokuar me këngë dhe flamuj të Serbisë

Prishtinë | 13 Qer 2022 | 17:34 | Nga Ekonomia Online

Që kur kishin hyrë në stadiumin “Panthessaliko”, tifozët e Kosovës ishin provokuar me këngë dhe flamuj të Serbisë.

Kështu tha në një intervistë për Klankosova.tv lideri i “Dardanëve” Lulzim Berisha.

Ai tha se gjithçka u përshkallëzua me hedhjen e shisheve, gurëve dhe mjeteve piroteknike.

Mirëpo  sipas Berishës, kjo nuk mund të përdoret si arsyetim për humbjen që Kosova e pësoi me rezultat 2:0.

“Incidentet kanë filluar prej momentit kur kemi hyrë në stadium. Që atëherë filluan provokimet me këngë dhe flamuj të Serbisë. Pastaj, gjithçka u përshkallëzua me hedhjen e shisheve, gurëve dhe mjeteve piroteknike”- tha Berisha.

“Me këtë nuk mund të konstatoj që mund të përdoret si alibi për humbjen që pësuam” – theksoi ai.

Kryetari i tifozëve të Kosovës shtoi se pas ndeshjes nuk ka pasur ndonjë provokim nga ana e grekëve për faktin se kosovarët ishin të shumtë në numër dhe dolën së bashku nga stadiumi.

“Në fund, pas ndeshjes, s’ka pasur provokime as prej policisë, e as prej grekëve – sepse ishin dëshmitarë që ishim shumë veta dhe dolëm të gjithë së bashku prej stadiumit. S’ka pasur asnjë tifoz grek përreth nesh”- shtoi ai.

Lulzim Berisha, tha se nuk dëshiron të komentojë aspektin teknik të lojës së kombëtarës për shkak se siç tha ai janë të ngarkuar njerëz të tjerë të merren me këtë punë.

“Sa i përket ndeshjes dhe humbjes që morëm, nuk dua të jap koment teknik, sepse nuk më takon. Janë personat tjerë që janë të ngarkuar për këtë pjesë”- tha ai.

Mbrëme kombëtarja e Kosovës humbi me rezultat 2:0 kundër Greqisë.

Deri në fund të këtij edicioni të Nations League, Dardanët do t’i luajnë edhe dy ndeshje.

Më 24 shtator do të luajnë në udhëtim me Irlandën e Veriut, derisa më 27 shtator kombëtarja “verdhekaltër” do të luajnë në “Fadil Vokrri” kundër Qipros.

Të ngjashme