Lideri mund ta thellojë krizën e Prishtinës

Prishtinë | 23 Jan 2021 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Cilësia e përafërt e skuadrave bën që gara në Superligën e Kosovës në basketboll të jetë goxha interesante. Ndonëse shikuesit po mungojnë, në ndeshje po ka rivalitet dhe shumica prej tyre po vendosen në momentet e fundit. Garat për pozitat e para e po ashtu për t’i ikur fundit, po forcohet nga dita në ditë. Në këtë drejtim do të shërbejnë edhe ndeshjet e xhiros së 17-të, që luhen në fundjavë.

Rahoveci – Sigal Prishtina është ndeshja që e hap javën e radhës në kampionatin e Kosovës në basketboll. Rahoveci është lider me 28 pikë, ndërsa Sigal Prishtina është në pozitë të pazakontë – e gjashta me 20 pikë, sa i kanë edhe Vëllaznimi e Trepça në dy pozita më poshtë. Rahoveci mund ta shtyjë Prishtinën drejt pozitës së fundit, që do të ishte goditje e rëndë për skuadrën më të suksesshme në vend. Derisa Rahovecit i duhen pikët për të mbajtur pozitën e parë, Prishtina vetëm me fitore ruan vendin e gjashtë dhe eventualisht mund të ngushtojë pak distancën e pikëve me skuadrat më lartë në tabelë. Aktualisht Bashkimi është i pesti me 24 pikë.

Rahoveci në mesjavë pësoi 90:85 nga Peja. Ndërkohë, Prishtina humbi nga Trepça )79:75), kurse është në seri prej tri humbjeve.

“Pres të kthehemi fuqishëm dhe të reagojmë pas humbjes së fundi. Besoj se do të japim më të mirën për të fituar këtë ndeshje të rëndësishme”, ka thënë Marvin Jones, njëri prej tre amerikanëve të Rahovecit, që janë edhe bartës të lojës.

Te Prishtina pranojnë se i pret punë e vështirë.

“Luajmë ndaj ekipit që prej fillimit të kampionatit luan në një nivel të lartë. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet. Presim të luajmë në mënyrë konstante për 40 minuta, që na ka munguar në ndeshjet e kaluara. Mbi të gjitha duhet të ndalim adutët e tyre, Traylorin, Johnsonin dhe Veselin. Nëse ia dalim në këtë, mendoj se mund të jemi afër fitores. Në çdo ndeshje deri në fund duhet të hyjmë të motivuar dhe me energji të madhe. Secila fitore do të thoshte shumë që të kthejmë besimin dhe të luajmë sa më mirë. Kështu që këtë e pres edhe në ndeshjen e ardhshme”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Dragan Radoviq.

Në ndeshjen tjetër të së shtunës, takohen dy skuadrat që po ashtu luftojnë për kreun e tabelës. Nga ora 17:00 në Prizren takohen Ponte Prizreni e Peja. Peja është e dyta me 27 pikë, sa i ka edhe Ponte në vend të tretë.

Ponte në xhiron e kaluar e mposhti Vëllaznimin në Gjakovë. Peja është në seri prej tri fitoreve. Me kthimin e Dardan Berishës nga lëndimi, Peja ka kthyer entuziazmin.

“Besoj se do të jetë një derbi i fortë, duke pasur parasysh se Ponte ka një ekip të fortë. Kemi pikë të njëjta, por mendoj se ne kemi përvojë më të madhe dhe kjo do të na ndihmojë që të kthehemi me fitore nga Prizreni”, ka thënë Albin Berisha, basketbollist i Pejës.

Superliga në basketboll – XVII

E shtunë

Rahoveci – Sigal Prishtina (15:00)

Ponte Prizreni – Peja (17:00)

E diel

Bashkimi – Vëllaznimi (19:00)

Trepça – Golden Eagle Ylli (17:00)

Rahoveci 28
Peja 27
P. Prizreni 27
G.E. Ylli 26
Bashkimi 24
S. Prishtina 20
Vëllaznimi 20
Trepça 20

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme