Liga e Francës përballet me zgjedhje të vështira pasi stinori nuk do të vazhdohet

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Liga e Francës (LFP) do të përballet me një numër çështjesh përfshirë kampionin, cilat skuadra do të ngrihen në Ligue 1 e cilat do të bien në Ligue 2, shkruan agjencia Reuters.

Bordi i LFP-së do të takohet të enjten për të biseduar për pasojat sportive dhe ekonomike të masave të reja kufizuese të marra nga kryeministri i Francës, Edouard Philippe. Philippe të martën mbrëma ka thënë se stinori profesionist 2019-20 nuk do të vazhdohet.

“Ishte vendim i mençur”, ka thënë presidenti i Nices, Jean-Pierre Riviere, ndërsa presidenti i unionit të futbollitëve në Francë, Sylvain Kastendeuch, ka thënë se qeveria e ka kuptuar se shëndeti publik është prioritet karshi emergjencës ekonomike.

Liga e Futbollit Profesionist të Francës (LFP) kishte planifikuar të rifillonte stinorët në Ligue 1 dhe Ligue 2 nga 17 qershori, por ndalesa e qeverisë nënkupton se duhet të marrë vendim tash se cilat klube do të marrin pjesë në garat evropiane, cilat klube do të largohen nga elita dhe nëse do të caktohet kampioni.

“UEFA na ka pyetur nëse mund të luajmë me dyer të mbyllura në gusht”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Noel Le Graet të mërkurën për “L’Equipe”.

Kjo mund të ndodhë, por vetëm si pjesë e stinorit 2020-21, që pritet të nisë më 7 gusht.

Le Graet po sahtu ka thënë se finalja e Kupës së Francës mes Paris Saint-Germainit dhe St. Etiennet mund të luhet në fillim të gushtit.

Ai ka shtuar se renditja në Ligue 1 dhe Ligue 2 duhet të jetë ajo që ka mbetur kur janë pezulluar garat, ndonëse dy klube, Strasbourgu që zë vendin e 11-të në renditje dhe Parisi që kryeson, kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.

PSG-ja ende është në garë në Ligën e Kampionëve dhe nuk do të mund të luante në Paris, por presidenti i klubit Nasser al Khelaifi ka thënë se do të pranonte që ndeshja të luhej jashtë.

“Ne synojmë të luajmë fazën finale të Ligës së Kampionëve. Nëse nuk është e mundur të luhet në Francë ne do të luajmë ndeshjet tona jashtë Francës dhe do të përkujdesemi që lojtarët dhe stafi të qëndrojnë shëndosh”, ka thënë Al Khelaifi.

Të ngjashme