Liga e Polonisë synon tifozët e rinj në internet prej këtij muaji

Prishtinë | 19 Maj 2020 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Me tifozët e futbollit në të gjithë botën e uritur për lojëra “live” për t’i shikuar, futbolli elitar i Polonisë, Ekstraklasa është gati të prezantohet para tyre. Gjermania është lidere e Evropës për rifillimin e garave të futbollit, që nisën vikendin e shkuar pas një pauze prej dy muajve shkaku i përhapjes së koronavirusit.

Ndërsa, edhe Polonia është e vendosur për të ndjekur një plan të ngjashëm me Gjermaninë, pasi ka paralajmëruar se edicioni i pezulluar do të rifillojë me datën 29 maj. Por, ndeshjet e elitës së Polonisë do të ofrohen me shërbimin e transmetimit online për të arritur edhe më shumë te shikuesit e rinj, si pjesë e një strategjie ambicioze digjitale. Vëmendja globale për ndeshjet e futbollit në Korenë e Jugut këtë muaj sugjeron një kërkesë të madhe për futbollin që po rikthehet në skenë gjatë kësaj kohe të pandemisë.

Një rifillim i suksesshëm në Poloni gjithashtu do ta mbante këtë vend në rrugën e duhur për të pritur finalen e Ligës së Evropës që do të mbahet në qytetin Gdansk. Ishte planifikuar që kjo ndeshje të luhej më 27 maj, por pas përhapjes së pandemisë COVID-19, UEFA po shpreson për një datë fund të gushtit. Presidenti i Ekstraklasas, Marcin Animucki, tha se tashmë ka interesim nga shtetet si Gjermania, Italia, Portugalia dhe pjesë e Azisë për të transmetuar 11 xhirot e mbetura të këtij sezoni. Shikuesit kuriozë gjithashtu mund të bashkohen me më shumë se 150 mijë përdorues të regjistruar – kryesisht polakë të mërguar në Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA – për platformën e re të internetit të ndeshjeve të elitës së futbollit të Polonisë.

“Gjithçka që na nevojitet tani është të transmetojmë ndeshjet live nga stadiumi”, tha Animucki në një intervistë telefonike nga Varshava.

Një plan për të arritur tifozët në pajisjet që u përshtaten atyre është thelbësor për çdo ligë që garon për vëmendjen me rivalët e tregut të madh dhe për marrjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të transmetimit. Ekstraklasa ka një kanal në “YouTube” që tregon xhirimet kryesore të ndeshjeve dhe një shërbim transmetimi “OTT” që është i bllokuar vetëm në Ballkan dhe në shtëpi, ku kampionati ka marrëveshjen më të pasur të tij ndonjëherë me një transmetues “pay-per-view”.

“Në territoret e tjera ndërkombëtare ne jemi të gatshëm të ofrojmë dy ndeshje në fundjavë për transmetuesit televizivë. Dhe mund të them se tashmë ka interesim të madh”, zbuloi Animucki.

Në fundjavën e rifillimit, ndeshja kryesore është vizita e liderit të ligës, Legia Varshavës në Lech Poznan, ish-klubin e sulmuesit të Polonisë dhe të Bayern Muenchenit, Robert Lewandowski. Liga u pezullua në mes të muajit mars, pasi Legia pësoi humbje në shtëpi ndaj Piast Gliwice që është në vendin e dytë dhe kampion në fuqi.

Klubet elitare të Polonisë nuk kanë pasur të ardhura që nga pezullimi i kampionatit, tha Animucki. Kështu që, përfundimi i sezonit aktual në fushë e fiton këstin përfundimtar prej 25 për qind nga marrëveshjet e transmetimit, që duhet të ndajnë të paktën 50 milionë euro ndërmjet 16 skuadrave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme