Liga e Portugalisë mund të vazhdojë më 30 maj

Prishtinë | 01 Maj 2020 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Dhjetë xhirot e fundit të Premiera Ligas së Portugalisë mund të luhen duke nisur nga 30 maji, ka thënë kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa të enjten. Portugalia ka nisur me lehtësimin e masave ndaj përhapjes së Covid – 19.

Costa ka thënë se ligës i duhet leja nga Ministria e Shëndetësisë për të vazhduar dhe se ndeshjet do të luhen pa shikues. Sipas tij sportet individuale si golfi e tenisi mund të vazhdojnë prej të hënës.

Liga e Portugalisë është suspenduar më 12 mars. Porto dhe Benfica janë duke zhvilluar garë të fortë për titull të kampionit.

Portugalia pritet të jetë prej vendeve të para që vazhdon kampionatin, ndërkohë që Franca e Holanda tashmë kanë anuluar edicionet aktuale. Belgjika fillimisht anuloi edicionin, por vendimi ka mbetur pezull pas presionit nga UEFA. Vendimi nuk është konfirmuar ende.

Portugalia ka raportuar 25 mijë të prekur nga Covid – 19 dhe 989 të vdekur.

Covid – 19 ka ndikuar edhe në futbollin e Afrikës. Në Keni, skuadra Gor Mahia është shpallur kampione, pasi edicioni është pezulluar. Në Angolë nuk do të ketë kampion të edicionit të anuluar.

Të ngjashme