Liga meksikane anulohet, në ShBA po shikojnë skenarët

Prishtinë | 23 Maj 2020 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Liga e Meksikës në futboll ka anuluar pjesën e mbetur të edicionit 2020 në konkurrencë të meshkujve dhe të femrave, për shkak të pandemisë. Nuk do të shpallen kampionë, ka njoftuar liga.

Liga ishte në diskutime me autoritetet shëndetësore për rikthim të mundshëm, pasi ishte suspenduar më 15 mars. Por është vlerësuar se nuk mund të vazhdohet “pa rrezikuar anëtarët e familjes së shkëlqyeshme”.

“Është e padiskutueshme që po përjetojmë një situatë të paparë në vendin tonë që detyron industrinë e futbollit në Meksikë që të veprojë me përgjegjësi dhe të përgjigjet me unitet ndaj kërkesave që na janë prezantuar. Ne kërkojmë të ruajmë integritetin e ligës dhe të gjithë anëtarëve të saj. Kjo është përgjegjësia jonë dhe kjo është arsyeja pse janë marrë masat e cekura”, thuhet në komunikatë.

Të mërkurën tetë lojtarë të skuadrës Santos Laguna janë testuar pozitivë për koronavirus, ndonëse asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma.

Ndërkohë liga MLS në SHBA po eksploron mënyra për t’u rikthyer në aksion. Ka plane që të mbahet një turne në Orlando me të gjitha 26 skuadrat, duke filluar nga qershori.

“Ne po shqyrtojmë skenarë dhe formate për t’u kthyer në ndeshje”, ka thënë Dan Courtemanche, zëdhënës i MLS-së. “Disa prej skenarëve përfshinë që të luhen ndeshjet në një apo më shumë vende neutrale“.

Pjesëmarrësit pritet të testohen rregullisht dhe të izolohen pasi të arrijnë në Orlando, ka raportuar ESPN. Disa skuadra tashmë janë kthyer në stërvitje në mënyrë vullnetare.

Të ngjashme