Linda Shala e synon presidencën: Ndryshimi është i nevojshëm në KOK

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Linda Shala insiston se ndryshimi është më se i nevojshëm në Komitetin Olimpik të Kosovës. Kandidatja për presidente të KOK-ut zotohet se ka përvojë të mjaftueshme për ta menaxhuar dhe drejtuar këtë institucion sportiv. Ish-kryetarja e KB Trepçës do t’i sfidojë Besim Hasanin e Ismet Krasniqin, në zgjedhjet për president të KOK-ut, që do të mbahen nesër

Linda Shala është e gatshme për ta marrë në dorë Komitetin Olimpik të Kosovës.

Menaxherja e suksesshme kosovare insiston se është koha e duhur për ndryshime në udhëheqësinë e institucionit më të lartë sportiv në vend.

Ajo do ta sfidojë kryetarin aktual të KOK-ut, Besim Hasani dhe kryetarin e Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi.

Në një bisedë me Gazetën Express, ajo i ka shfaqur pikëpamjet e saj rreth gjendjes aktuale në KOK dhe e ka shprehur nevojën për të pasur freski në shtëpinë e sportit kosovar.

Me kandidimin për kryetare të KOK-ut, ajo e ka shfaqur edhe një herë guximin, pasi dihet që kryetari aktual, Besim Hasani, e ka mbështetjen e një pjese të madhe të delegatëve të Federatave sportive.

“Mua guximi asnjëherë nuk më ka munguar në sfidat para meje si në rrafshin profesional dhe personal. Jam këtu ku jam në bazë të punës sime, përkushtimit që i jap në secilin angazhim që e marr. Zgjedhjet janë proces, KOK-u është në proces zgjedhor dhe unë jam kandidate për kryetare. Pa marr parasysh se sa vite dikush është në një pozitë, vjen koha e ndryshimit. Ndryshimi është i nevojshëm në KOK”, thotë Shala.

Ajo ka qenë e angazhuar thuajse vazhdimisht në dy dekadat e fundit në basketbollin kosovar.

Ajo nuk dëshiron ta komentojë punën e bërë deri tash nga kryetari Besim Hasani, pasi shprehet se Federata e Basketbollit qe më shumë se 8 vjet nuk ka qenë pjesë e vendimmarrjes në KOK, prandaj informatat e punës në këtë institucion sportiv i ka vetëm përmes mediave dhe nga Kuvendet e Punës së KOK-ut.

Për këtë të fundit, i ka disa fjalë.

“Në Kuvendin e fundit të punës të mbajtur në dhjetor u pa që kishte shumë pakënaqësi dhe se debati Bord – kuvendarë kishte devalvuar”, shprehet tutje Shala.

Ish-kryetarja e klubit të basketbollit Trepça dhe disa herë anëtarja e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës i ka shpalosur planet e saj dhe prioritetet që i ka në sportin kosovar nëse i besohet mandati katërvjeçar në krye të KOK-ut.

“Unë preferoj punë dhe vendimmarrje kolektive dhe punë sipas planifikimeve. Me Federatat në bashkëpunim do ta hartojmë strategjinë 4 vjeçare dhe aty do të identifikohen sportet që u duhet përkrahje me prioritet bazuar në rezultatet sportive dhe organizative. Ka shumë Federata të mëdha që realisht kërkojnë vetëm trajtim institucional të duhur pa kërkesa për fonde, ka Federata që kanë kërkesa vetëm për infrastrukturë sportive e që përkon me të mirën e përbashkët, por ka edhe sportistë e sportiste nga Federata të ndryshme me rezultate kulmore po edhe shpresa që duhet përkrahur drejtpërdrejt. Për këtë arsye është i nevojshëm bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Federatave në planin e përbashkët e që do ta implementojë  KOK-u. Unë e kam përvojën e duhur dhe vullnetin që në 4 vitet e ardhshme ta vë angazhimin tim time në shërbim të avancimit të sportit në Kosovë dhe përfaqësimit sa ma dinjitoz në arenën ndërkombëtare”, përfundoi Shala, e cila e ka treguar veten si menaxhere e suksesshme, jo vetëm në sport, por edhe në sferat tjera.

Asambleja e Punës dhe ajo Zgjedhore e KOK-ut do të mbahet nesër duke filluar nga ora 15:00.

Të ngjashme