Lingard: Vazhdoni të besoni dhe ëndrrat do të ju realizohen

Prishtinë | 28 Pri 2020 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Jesse Lingard e ka pranuar se ai është përballur me sfida të shumta gjatë karrierës së tij  me Manchester Unitedin, por ka shtuar se ato sfida e kanë ndihmuar të përgatitet për ekipin e parë.

Mesfushori anglez ka qenë me akademinë e Djajve të Kuq qysh në moshën shtatëvjeçare, para se të nënshkruante kontratë me ekipin e parë në vitin 2011.

Atij iu deshën pothuajse tre vjet për ta fituar debutimin e tij në Manchester United, pasi që fillimisht kishte kaluar periudha huazimi në disaklube si Leicester City, Birmingham, Brighton dhe Derby, para se ta përsonte një lëndim më serioz në gju në vitin 2014.

Lingard më në fund arriti ta zë një vend në ekipin e parë në Old Trafford gjatë sezonit 2015/16 dhe që nga atëherë ka arritur t’i bëjë gjithsej 202 paraqitje për klubin e tij të fëmijërisë, duke i shënuar edhe 31 gola në ato ndeshje.

“Unë isha gjithmonë i vogël. Kur isha në ekipin e U-18, më së shumti luaja me U-16 sepse shumë lojtarë ishin më të mëdhenj sesa unë, por kjo s’më pengonte”, ka thënë Lingard.

“Unë gjithmonë kam punuar shumë, gjithmonë e kam bërë gjënë e duhur. Ti vetëm duhet të punosh shumë dhe t’i qëndrosh besnik planit. Unë u lëndova në debutimin tim dhe mbeta jashtë fushës për gjashtë muaj”.

“Kisha shumë sfida, por nëse vazhdon të luftosh, vazhdon të punosh dhe vazhdon të besosh, atëherë ëndrrat e tua do të të bëhen realitet”.

Të ngjashme