Lirim Kastrati vërshohet nga ofertat, dy klube nga La Liga dhe një nga MLS e duan sulmuesin e Kosovës

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 19:51 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Lirim Kastrati është bërë subjekt i disa ofertave nga klubet elitare spanjolle në La Liga.

Orët e Lirim Kastratit te skuadra kroate, Lokomotiva Zagreb, duket se janë të numëruara. Forma fantastike e reprezentuesit të Kosovës ka zgjuar interesim te shumë klubeve për të kërkuar shërbimet e tij.

Sipas mediumit kosovar GazetaSheshi, në drejtim të klubit kroat tashmë kanë arritur disa oferta për 20-vjeçarin nga Kamenica.

Skuadra e Mallorcas që është rikthyer këtë edicion në La Liga po e kërkon me ngulm kartonin e Kastratit, derisa ka ofruar katër milionë euro për klubin nga Zagrebi, vetëm e vetëm për ta pranuar ofertën.

Interesim për futbollistin nga Hogoshti ka shfaqur edhe skuadra tjetër e La Ligës, Real Betis, por që ende nuk ka ndonjë ofertë zyrtare nga andaluzianët.

Kastrati duke festuar një gol te klubin kroat

Po me një ofertë zyrtare dhe shumë të lartë ka ardhur nga skuadra e Torontos. Ekipi nga MLS ka ofruar gjashtë milionë euro për Lokomotivën dhe një pagë tejet të majme për futbollistin, por duket se dëshira e tij nuk është që karrierën ta vazhdojë në SHBA, prandaj është i përqendruar drejt Evropës.

Pjesën më të madhe të kartonit e zotëron skuadra e Lokomotivës nga Zagrebi, ndërkohë që gjithçka mbetet në duart e presidentit të klubit Tin Doliçki, i cili do të vendos për të ardhmen e futbollistit, gjithmonë në bashkëpunim me yllin e Kosovës dhe menaxherët e tij.

Këtë edicion, Kastrati është paraqitur në 18 ndeshje për Lokomotivën e Zagrebit, derisa ka realizuar gjashtë gola dhe ka shërbyer katër herë për bashkëlojtarët e tij.

Ai gjithashtu ishte pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Kroaci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme