Liverpooli në krizë për portier pas lëndimit të Adrianit

Prishtinë | 17 Gus 2019 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp ka bërë të ditur se portieri spanjoll Adrian është në dyshim për përballjen e së shtunës ndaj Southamptonit, duke rritur më tej krizën e portierëve te skuadra kampione e Evropës.

Portieri spanjoll ishte hero i ndeshjes së Superkupës së Evropës të mërkurën mbrëma, kur ndali një penallti të Tammy Abrahamit duke i siguruar skuadrës trofeun e parë të stinorit.

Mirëpo, fitorja mbeti në hije të një incidenti, ku një tifoz u fut në fushë pas fitores dhe lëndoi pa dashje ish-portierin e West Hamit, shkruan Daily Mail, përcjell Koha Ditore.

Klopp në konferencë për media të premten, ka bërë të ditur se Adrian ka gjasa të mungojë në ndeshjen ndaj Southamptonit si rezultat i lëndimit.

“Do të ndihmonte shumë po të ishte ai i gatshëm të luante nesër. Kur ishim të gjithë së bashku, një tifoz po ndjekej nga stafi i sigurimit dhe rrëshqiti e goditi Adrianin në kyç të këmbës. Të enjten kyçi i këmbës ishte i ënjtur, sot është mirë, por duhet të presim”, ka thënë Klopp.

Nëse Adrian nuk do të mund të aktivizohet, atëherë Liverpooli duhet të aktivizojë portierin e tretë Andy Lonergan 35-vjeçar, që do të bënte debutimin për klubin. Portieri i parë braziliani Alisson u lëndua javën e kaluar, në xhiron e parë të Premier Leagues dhe do të mungojë disa javë.

“Andy Lonergan ka stërvitur më gjatë me ne se sa Adriani. Adriani erdhi vetëm një javë para fillimit të stinorit. Lonergan luajti në miqësore parasezonale. Caoimhin Kelleher, për të cilin të gjithë jemi të entuziazmuar me potencialin që ka, nuk ka stërvitur për një kohë të gjatë, por tash është në stërvitje, ndonëse jo qind për qind. Ai duhet të jetë në stërvitje maksimale, po të marrin vendimin për ta aktivizuar. Çfarë të them? Nuk ka dyshim se sa shumë i duam tifozët tanë, por do të doja të ndalnin këtë. Ne po luanim kundër Norwich Cityt dhe pati tifoz që u futën në fushë po ashtu”, ka thënë Klopp. “Nuk është qesharake. Nuk e di se çfarë mund të bësh kundër kësaj. Më pëlqen që nuk kemi rrethoja në stadium, por kjo do të thotë më tepër përgjegjësi nga tifozët. Nëse një person nuk mund të ndalë veten, atëherë njerëzit rreth tij duhet ta ndalin atë. Nuk është qesharake në këtë rast, mund të shihni rastin. Është çmenduri kur e mendon se si ndodhi kjo? Sot Adrian është më mirë, por po të ishte loja sot nuk do të mundë të luante. Ne mund të marrim një vendim vetëm në momentet e fundit, më herët jo”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme