Liverpooli po e shqyrton mundësinë të aktivizojë dy skuadra njëkohësisht

Prishtinë | 01 Nën 2019 | 11:03 | Nga Ekonomia Online

Mundësia e aktivizimit të dy skuadrave të Liverpoolit në dy shtete të ndryshme është diskutuar në tentim për të zbutur orarin e ngarkuar të klubit.

Liverpooli arriti në çerekfinale të League Cup në mënyrën më dramatike të mundshme të martën mbrëma, pasi mposhti Arsenalin pas ekzekutimit të penalltive, në një ndeshje që përfundoi 5:5 në kohë të rregullt. Mirëpo, kalimi në çerekfinale ka shkaktuar dhimbje koke.

Duhet të përballet me Aston Villan në këtë fazë – që pritet të luhet më 17-18 dhjetor – por kjo bie në ndesh me obligimet e Liverpoolit në Botërorin e klubeve në Katar, ku skuadra duhet të luajë pasi fitoi Ligën e Kampionëve në qershor, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, e ka bërë të qartë të mërkurën mbrëma se klubi do të jetë i gatshëm të heqë dorë nga ndeshja e League Cup nëse autoritetet nuk dalin me një plan të arsyeshëm për të rregulluar këtë situatë.

“Ne nuk do të bëhemi viktimë e këtij problemi. Nëse nuk gjendet një orar i përshtatshëm për ne në League Cup, atëherë nuk do të luajmë. FIFA na ka thënë se Botërori i klubeve do të jetë në Katar dhe do të jemi atje. Premier League na thotë neve të luajmë në Premier League, që është e kuptueshme. Nëse ke një orar ku një skuadër nuk mund të marrë pjesë në të gjitha ndeshjet, atëherë duhet menduar për ndryshim të atij orari. Shpresoj të ndodhë tash”, ka thënë Klopp.

Liverpooli do të përballet me Aston Villan të shtunën dhe ky është fillimi i një serie që do të shohë skuadrën duke luajtur 19 herë nga fillimi i nëntorit deri më 11 janar, kur do të ndeshet me Tottenhamin në Londër.

Duke marrë parasysh udhëtimet në Salzburg, dy herë në Londër, në Bournemouth dhe në Doha, Liverpooli do të ketë minimum 20 mijë kilometra gjatë një periudhe prej dy muajve e gjysmë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme