Ljunberg s’është i sigurt sa kohë do të jetë trajner i Arsenalit

Prishtinë | 30 Nën 2019 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Freddie Ljunberg është i pasigurt se sa kohë do të mbetet në postin e trajnerit të përkohshëm në Arsenali, pasi që suedezi e ka bërë të qartë se është i përqendruar te e tashmja dhe në qëillimin për ta baraspeshuar një anije që kishte filluar të fundosej nën Unai Emeryn.

Topçinjtë vendosën të premten që, pas 18 muajve nën drejtimin e trajnerit spanjoll Unai Emery, ta ndryshojnë trajnerin. Ata i thanë lamtumirë legjendës Arsene Wenger verën e vitit 2018 dhe tani e kanë shkarkuar pasardhësin e tij.

Emery kishte qenë nën shumë presion në postin e tij gjatë kohës së fundit, pasi që tifozët vlerësonin se ai nuk kishte arritur ta çonte skuadrën e Arsenalit përpara gjatë kohës sa e drejtoi këtë klub.

Postin e trajnerit të përkohshëm në Arsenal tani do ta mbajë Freddie Ljunberg, tek i cili klubi tha se ka besim të plotë se do ta çojë ekipin përpara, mirëpo është bërë e ditur se klubi është në kërkim të një trajneri të ri.

“Nuk ka asnjë shenjë se sa gjatë apo shkurt do të jem në këtë rol”, ka thënë Ljunberg, në një intervistë të dhënë për Sky Sports, kur u pyet për postin e tij të trajnerit të përkohshëm.

“Ata vetëm më thanë: “Përqendrohu në ndeshjen tjetër dhe bëj gjithçka që mundesh dhe do ta shohim nga aty”. Jam i përqendruar te lojtarët dhe te ndeshja e nesërme dhe do ta bëj më të mirën që mundem”.

Ljunberg ishte pjesë e Arsenalit si futbollist nga 1 shtatori i vitit 1998 deri më 1 korrik të vitit 2007. Pasi i dha fund karrierës së tij si futbollist, ai ishte pjesë e Arsenalit në disa postë të ndryshme si përfaqësues i klubit, trajner i ekipit të të rinjve, trajner i ekipit U-23 dhe ndihmëstrajner. Tani ai do ta ushtrojë detyrën e trajnerit të ekipit të parë përkohësisht. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme