Llapi i motivuar kërcënon lideren

Prishtinë | 18 Sht 2019 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Pasi fitoi derbin me Prishtinën në “Fadil Vokrri”, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, synon të fitojë edhe një derbi tjetër. Tash po mendon për tri pikët ndaj Dritës që udhëheq në klasifikim dhe llogaritet ndër skuadrat më të forcuara.

Dueli do të luhet të mërkurën (sot, 16:00) në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe vlerësohet derbi i xhiros së pestë të Superligës në futboll, shkruan sot Koha Ditore.

Llapi në ndeshjen e fundit triumfoi ndaj Prishtinës (1:0) derisa Drita në tri ndeshjet e fundit ka marrë pikët maksimale – nëntë – dhe i prinë tabelës pas katër xhirove të zhvilluara.

Llapi është i katërti në tabelë me shtatë pikë dhe trajneri Batatina është i bindur se tifozët llapjanë do t’i gëzohen fitores ndaj Dritës. Drita në duelin e fundit triumfoi në shtëpi ndaj kampionit në fuqi, Feronikeli (1:0).

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, duke e ditur potencialin e Dritës, por ne jemi maksimalisht të përqendruar dhe të motivuar për këtë përballje, pasi duam të vazhdojmë ecurinë pozitive që e kemi pas komponimit të ekipit”, është shprehur Batatina, të martën. “Më e rëndësishmja është se atmosfera brenda ekipit është brilante dhe futbollistët janë në gjendje të vdesin në fushë për ngjyrat e Llapit, pasi po zbatojnë me përpikëri të gjitha detyrat. Ne kemi treguar tashmë që jemi ekip stabil e shumë serioz, kështu që edhe në duelin ndaj Dritës do të japim gjithçka nga vetja për t’i gëzuar qytetarët dhe tifozët tanë që na përkrahin maksimalisht”.

Si Llapi ashtu edhe Drita për këtë përballje pritet të jenë të kompletuar. Sulmuesi i Dritës, Izair Emini, ka insistuar se ekipi gjilanas është maksimalisht i përgatitur për derbin e radhës me Llapin, pas atij me Feronikelin.

Të ngjashme